Këto video të rralla dhe kaq befasuese tregojnë tre momente shumë të rëndësishme në jetën e shqiptarëve: Pushtimi nga Italia fashiste, lufta ndaj gjermanëve dhe më pas çlirimi.
Videot janë postuar online nga British Pathé.
Në videon e parë pasqyrohet zbarkimi i forcave ushtarake italiane në prill të vitit 1939.
Gazetari përshkruan zbarkimin e atij mëngjesi të së premtes “në këtë mbretëri të vogël në Adriatik”.
Italianët “u bëjnë thirrje kundërshtarëve të dorëzohen menjëherë ose do masakrohen nga ajri”.
“Ka raportime se shqiptarët i rezistuan pushtimit, por ç’mund të bëjë një vend që ka raportin 40 me 1 me italianët”, raporton gazetari.
Më pas një përfaqësi shqiptare i ofron kurorën mbretit italian Viktor Emanuel.
Video paraqet edhe përshëndetjen e përfaqësuesit italian, Konti Çiano, që thuhet se “u mirëprit nga e gjithë popullsia”.
Më pas në videon e dytë jepet një moment i zbarkimit të forcave britanike në Shqipëri për herë të parë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Këta luftëtarë malesh i kanë bërë me dhimbje kokë gjermanët dhe komandot tanë janë aty që këto dhimbje të bëhen më të forta,” thekson gazetari.
“Armiku u kap në surprizë dhe komandot zbritën pa ndonjë rezistencë”, vijon ai.
Megjithatë, për të hapur rrugën, duhet sulmuar një garnizion gjermanësh.
Pas sulmit, që jepet edhe me video, gazetari lajmëron: “Garnizoni është shkatërruar plotësisht, por jo pa pasoja, megjithëse ato janë shumë më të lehta në krahun tonë. Kontakti vendoset me partizanët dhe hapet rruga për furnizime që të vazhdojë puna”.
Në videon e tretë jepen pamje pas çlirimit të Shqipërisë.
Edhe pse video është shumë e gjatë, nuk ka koment.