Një video e publikuar në rrjetet sociale po bën xhiron e botës, pasi në të shfaqet vajza e një prej miliarderëve më të mëdhenj në botë, e bija e kryeministrit të Emirateve të Bashkuara, e pas arratisjes nga shtëpia e saj, ka lëshuar disa deklarata shumë të forta për të atin.
Vajza e sheikut të njohur Muhammed bin Rashid Al Maktoum, është arratisur nga Dubai pas kufizimit të lirisë që ajo kishte pasur nga babai i saj një miliarder.
Latifa një nga 30 fëmijët e tij të cilat i ka me 6 gra, ka mundur të largohet me një jaht drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të kërkuar atje azil politik. Vajza e miliarderit tha se ishte larguar pasi ajo nuk kishte lirinë për të jetuar jetën e saj në Dubai.
Po ashtu ajo ka deklaruar se u mbajt fshehurazi në burg për tre vjet pas një tentative të dështuar të arratisjes kur ishte adoleshente. Latifa pretendon se është droguar në spital nga mjekët për të ndaluar rebelimin e saj.
Ajo pretendon se nuk është lejuar të largohet nga vendi që nga viti 2000 dhe babai i kontrollon lëvizjet e saj gjatë gjithë kohës. Edhe pse është në moshën 30-vjeçare, Latifa thotë se duhet t’i përmbahet një mbikëqyrjeje të rreptë dhe nuk ka lirinë që të tjerët gëzojnë, në vendin që është një nga destinacionet turistike më të njohura në botë.
Latifa thuhet se dërgoi mesazhin e saj të fundit në WhatsApp tek përfaqësuesit e shtetit të saj në SHBA, të paktën 50 milje nga bregu i Indisë, njoftoi NDTV.
“Kjo video mund të më shpëtojë jetën, sepse im atë do të vriste për reputacionin e tij, kushdo që të jetë, do ta vriste. Por në rast se kam vdekur, kjo video do t’i sqarojë të gjitha. Në vitin 2000 edhe motra ime e madhe është arratisur sepse ne nuk kemi të drejtë të jetojmë të lira siç jetojnë të gjithë të tjerët në vendet demokratike. Atë unë e kam parë gjithmonë si një nënë sepse nuk ishte vetëm motra ime por edhe nënë, sepse më mbronte. Por im atë pas shumë përpjekjesh e gjeti atë pas disa muajsh dhe e mori me forcë. Më pas ai e burgosi në një nga kullat tona.
Tim ati i intereson vetëm vetja e tij dhe reputacioni i tij. Ai është një kriminel i madh. Këtu nuk ka drejtësi, sidomos për femrat. Jeta është shumë e pabarabartë. Ai madje ka djegur shtëpi për të fshehur prova. Ai është i çmendur. Mendoj se është momenti që ai tani të përballet me pasojat e veprimeve të tij. Nuk më intereson ajo që do të më bëjë mua. Por ai do të përballet me pasojat”, shprehet ndër të tjera ajo.
Përshtati nga “New York Post” “Panorama”