Shumëkush e kritikoj në momentin e parë, por rezultoi se zgjedhja e tij ishte e goditur. Bëhet fjalë për Mario Mitajn, teksa në media u fol në merkaton e verës se mbrojtësi i talentuar shqiptar mund të shkonte te Juventus, ai zgjodhi Arabinë Saudite. Por ndryshe nga rastet e tjera të lojtarëve shqiptarë që dalin nga Europa për t’i thënë lamtumirë edhe karrierës së tyre te Kombëtarja, Mitaj bëri një kalim të zgjuar.
Mario përfundoi te Al Ittihad, një ekip që lufton për titull kampion në elitën e Arabisë dhe që aktualisht po mban vendin e parë duke lënë mbrapa ekipin e Neymar, Cristiano Ronaldos dhe shumë yjeve të tjerë europianë. Për më tepër Mitaj ka marrë rolin e një lojtari titullar të padiskutueshëm në këtë skuadër.
Duke marrë parasysh se dikur mbrojtësi ishte pjesë e Lokomotivës në Rusi dhe që nuk aktivizohej thuajse fare, në një lojtar titullar në ekipin e Benzema dhe Kante, që mban vendin e parë në Arabinë Saudite, padyshim që Mitaj ka bërë hapa përpara dhe jo mbrapa. Ekipet e dorës së parë në këtë vend vëzhgohen me imtësi nga skautët e ekipeve europiane dhe nuk do të jetë e largët dita kur Mitaj të kthehet në Europë, por këtë herë në elitën e saj.
Ndërkohë pak ditë më parë, Sport Ekspres dhe Koha Shtesë (Youtube) kanë hapur një sondazh sa i përket Personazhit të Vitit 2024. Ndryshe nga më parë ku kemi vendosur figura që përfshinin të gjitha sportet dhe që kanë ngritur lart flamurin shqiptar, këtë herë jemi ndalur vetëm te lojtarët e Shqipërisë.
Ismajli, Gjimshiti, Mitaj, Asllani, Bajrami, Asani, Uzuni dhe Laçi ishin 8 kandidaturat, por në fund fitojë Mitaj. Shumë vota ka marrë edhe Myrto Uzuni për atë që ka arritur te Granada, duke përfunduar në historinë e këtij klubi, por ka përfunduar në vendin e 2, ndërsa në vendin e 3 renditet Berat Gjimshiti. Ky vlerësim për Mario Mitajn si personazhi i vitit 2024 në Sport Ekspres dhe Koha Shtesë ka marrë edhe jehonën në mediat e Arabisë Saudite dhe ato pranë klubit të Al Ittihad.
Ndërkohë vetë Mario Mitaj ka bërë së fundmi një reagim duke falënderuar ndjekësit e Sport Ekspres dhe Koha Shtesë që e zgjodhën si Personazhin e Vitit, ndërsa nga ana tjetër uron të gjithë shqiptarët për vitin e ri 2025 dhe i fton ata që të bëhen gati për emocionet e marsit. “Përshendetje të gjithëve, Mario Mitaj këtu, falenderim të madh për ndjekësit e Sport Ekspres dhe Koha Shtesë që më votuan si Personazhi i Vitit, një gjë e madhe dhe e bukur për mua, iu uroj vit të mbarë të gjithë shqiptarëve, shëndet dhe lumturi dhe shihemi në mars”, tha Mitaj. /Sport Ekspres/