Pasi e dërgoi kombëtaren kuqezi në Euro 2024 në Gjermani, tashmë ka nisur dhimbja e kokës për trajnerin Sylvinho.
Veç lojtarëve që realizuan mrekullinë e dytë në historinë e futbollit shqiptar, shumë të tjerë pretendojnë një ftesë për të qenë pjesë e grupit që do të përfaqësojë kuqezinjtë në Gjermani.
Një nga ata që po bën gjithçka për një ftesë është Rey Manaj në Turqi, por nuk mbetet pas as Lindon Selahi në Kroaci.
Mesfushori po realizon paraqitje të shkëlqyera me skuadrën e Rijekës, të cilën e ka ngjitur në krye të klasifikimit me golin e shënuar këtë fundjavë.
24-vjeçari i dha suksesin e plotë me përmbysje Rijekës në udhëtim 1-2 kundër Hajdukut të Splitit.
Përballja direkt për kreu e pa Rijekën të merrte tri pikë në “Poljud”, duke siguruar edhe kreun e renditjes pas një kryevepre të mesfushorit kuqezi, që në fund festoi me ‘shqiponjë’.
Pukstas kaloi skuadrën e Splitit në avantazh, teksa në pjesën e dytë Rijeka barazoi me Obregon, para se Selahi në të 75 minutë të lëshonte një “predhë” me të jashtmen e së djathtës, për tri pikët e Rijekës.