Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sot opozitën teksa ka publikuar pamje nga ndërtimi i sistemit të furnizimit me ujë në Lazarat të Gjirokastrës.
Sipas Ramës si mund të flasin ata që na e lanë Shqipërinë rrumpallë dhe vetëm falë qeverisë së tij po futet në shinat e progresit të qëndrueshëm.
“Dakord të gjitha, po si mund të flasin akoma dhe të kërkojnë “nënë e babë” nga ne kur i thonë llafit, kur edhe Lazaratin e lanë me 40 minuta ujë në ditë për një çerek shekulli!
Tani patjetër, nuk them fare se kjo është një mrekulli, po si mund të mos jetë të paktën një arsye e qartë për ta bërë dallimin, si dita me natën, mes nesh që na e lanë Shqipërinë një rrumpallë copash e çikash dhe sot e kemi vënë në shinat e progresit të qëndrueshëm, hap pas hapi e me njëmijë vështirësi natyrisht, e atyre që s’kanë ndryshuar as qime, jo më zakon dhe kanë kurajon të kërkojnë të kthehen në krye, kur ne 7 vjet në punë papushim për të ndrequr, ndërsa ata 7 vjet rrugëve pa asnjë reflektim, vetëm për të prishur!
Lazarati me mbi 40 km rrjet të ri dhe 24 orë ujë të pijshëm së shpejti është një pasqyrë e dobishme për këdo që ka sy dhe do të shohë, faktet e pamjet flasin vetë…”, shkruan kryeministri Rama.