Qeveria Kurti II e arriti marrëveshjen e parë me Serbinë në Bruksel gjatë ditës së djeshme, dhe e cila u interpretua nga shumë analistë si e ngjashme e madje edhe më e keqe se marrëveshja e arritur nga Edita Tahiri në vitin 2016. Por, çka thoshte kjo parti në atë vakt?
Ishte ditë e diele kur Vetëvendosje do të alarmonte mediet për një konferencë të jashtëzakonshme për medie. 18 shtator 2016.
Partia e Albin Kurtit, pjesë e opozitës së asokohshme VAN [VV-AAK-Nisma] ishte trazuar nga një marrëveshje e arritur në Bruksel për targat me Serbinë. Dhe, në konferencën e jashtëzakonshme për medie, do të shfaqej nënkryetarja e partisë, Aida Dërguti.
Kjo marrëveshje do të parashihte vendosjen e letrave ngjitëse që do të mbulonin targat e veturave të Kosovës e të Serbisë, dhe do të lejonte targat e qyteteve si KM [Kosovska Mitrovica] etj.
Dërguti, në atë konferencë, me siguri do të traumatizohej po ta dinte që po partia që i përkiste do ta arrinte një marrëveshje të njëjtë që do të përfshinte madje edhe largimin e pjesëtarëve të Njësisë Speciale nga veriu i Kosovës.
Por, çka u tha në atë konferencë të jashtëzakonshme të Vetëvendosjes?
“Çfarë kuptimi ka lëvizja e lirë kur duhet ta fshehësh vendin prej nga vjen?” – pyeste VV për marrëveshjen që pesë vjet e dymbëdhjetë ditë më vonë do ta nënshkruante edhe vetë.
“Marrëveshja e 14 shtatorit 2016 në thelb nuk ndryshon [nga ajo e 14 shtatorit 2011]. Targat provuese nuk po hiqen, siç thuhet. E dyta, prapë kjo marrëveshje nuk është reciproke sepse nuk vlen për serbët e Kosovës… Në këtë marrëveshje nuk është arritur dakordimi që të mos ketë targa të strukturave ilegale të Kosovës si KM [Kosovska Mitrovica] etj që aplikohen kryesisht në veri të vendit.” – thuhej në Konferencë, përcjell Periskopi.
“Marrëveshja e 30 shtatorit 2021 në thelb nuk ndryshon [nga ajo e 14 shtatorit 2016 dhe e 14 shtatorit 2011]. Targat provuese nuk po hiqen, siç thuhet. E dyta, prapë kjo marrëveshje nuk është reciproke sepse nuk vlen për serbët e Kosovës…” – mund t’i dëgjojmë fjalët fantazmë sot, për shkak se as kjo marrëveshje në thelb nuk ndryshon, dhe aty ku ndryshon është më e keqe se dy të mëhershmet.
Pamjet janë nga aksioni i rrëzimit të një kamioni me targa serbe në marsin e 2016-s nga VV.