Tre pengjet e liruara nga Hamasi si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit ndodhen në Izrael. Emily Damari, Romy Gonen dhe Doron Steinbrecher janë në tokën izraelite. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se Emily, Doron dhe Romi më në fund morën rrugën për në shtëpi. Ai gjithashtu u shpreh se është një moment emocioni i madh.
Fillimisht tre pengjet iu dorëzuan Kryqit të Kuq nga anëtarët e Hamasit dhe më pas organizata ia dorëzoi ushtrisë izraelite. Forcat e Armatosura izraelite publikuan videon e momentit kur tre gratë u dorëzuan në ushtri.
Siç raporton timeofisrael.com, në rrjetet sociale janë publikuar foto ku shihet Emily Damari në një video-telefonatë me familjarët pas takimit me nënën e saj. Emily ishte në një strukturë IDF për t’u testuar. Në imazhet, Emily ka një fashë në dorë pasi u plagos gjatë sulmit më 7 tetor 2023. Sipas transmetuesit publik Kan, ajo humbi dy gishta.