Sipas hotelierëve 15 ditëshi i dytë i gushtit u pa si shpresëdhënës nga të gjithë operatorët turistikë, por akomodimet në hotele nuk janë shtuar në raport me ditët që lamë pas. Adnan Aliaj nga shoqata e operatorëve turistikë tregon se nga po vijnë turistët.
Turistët vijojnë të jenë nga Maqedonia, Kosova dhe Ukraina. Sipas Aliajt, mungojnë turistët e tjerë nga Gjermania apo Italia, ndërsa nuk ka asnjë parashikim as për shtatorin pas forcimit të rregullave ndaj pandemisë n Evropë.
Vlora mbetet një destinacion i pushuesve, kryesisht nga trevat shqipfolëse,vendas, por edhe me turistë nga Bjellorusia, të cilët zgjedhin qytetin bregdetar për të kaluar pushimet verore.
“Më pëlqen Vlora për detin e bukur, kuzhinën dhe njerëzit e mrekullueshëm.Kam ardhur këtu me mamin dhe vëllanë dhe po kënaqemi”, shprehet një vogëlushe nga Bjellorusia.
“Detet Adriatik dhe Jon janë të mrekullueshëm, po ashtu dhe njerëzit. E shoh që në Shqipëri janë të interesuar për debatet politike në Bjellorusi”, shprehet një tjetër.
E pyetur nëse është dakord me protestat kundër Lukashenkos në Bjellorusi, turistja nga ky vend i aprovon ato. “Prej 20 vitesh dëgjojmë vetëm fjalë, thotë ajo. Askush të dëgjon dhe siç shihet nuk po dalim dot nga kjo situatë”.
Një kuzhinier nga Vlora prej 20 vitesh banon në Londër. Ai shprehet se është i mahnitur nga ndryshimet në Vlorë këto vite, çka e kanë bërë atë shumë më të bukur, sipas tij, ndërsa është e pakrahasueshme shija e gatimeve shqiptare. Edhe këtë fundjavë, rrugët drejt bregdetit janë përballur me një fluks të rënduar automjetesh, të cilat e kanë kaluar shifrën 30 mijë.