Në gjunjë dhe me foulard (një shall mëndafshi i lehtë i endur thjeshtë ose i dredhur i zbukuruar zakonisht me një model të printuar – ed.) si dhuratë.
Me këtë paraqitje, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nderoi homologen italiane Giorgia Meloni duke përshëndetur mbërritjen e saj në Javën e Qëndrueshmërisë në Abu Dhabi, në ditëlindjen e saj të 48-të.
“Duhet të ndalosh me këtë histori”, buzëqeshi Meloni para se të përqafonte liderin shqiptar i cili foli disa herë duke e quajtur “motër”, raporton Rai News.
Rama shpjegoi se shalli është bërë nga një prodhues italian, i cili u zhvendos në Shqipëri dhe u bë shtetas shqiptar.
Më pas ai e vendosi në kokën e saj, duke marrë falënderimet nga kryeministrja italiane që e përqafoi.
Në videon e publikuar nga mediat italiane, kryeministri Rama shihet teksa e pret Melonin në pavijonet e Qendrës Kombëtare të Ekspozitave në Abu Dhabi dhe teksa ajo mbërrin i drejtohet “Madhëria juaj” dhe i këndon një version të improvizuar të këngës “Tanti Auguri”.
Shefi i qeverisë kërkoi nga të pranishmit t’i bashkoheshin, por pa shumë sukses.
Në një moment gazmor, Rama vijoi me batuta: “Unë kam një zë si një gomar shqiptar.”
Meloni, e kapur në befasi, vendosi shallin mbi kokë në stilin arab, duke shkaktuar të qeshura mes të pranishmëve.
Gjatë bisedës, Rama vijoi komentet për marrëdhënien e tyre të ngushtë politike dhe personale, duke shtuar me ironi: “Musk një rival për mua? Të tjerët vijnë dhe shkojnë, unë qëndroj.”
Meloni iu përgjigj me një buzëqeshje dhe një koment të shkurtër: “Çfarë personazhi!”