Tre ditë më parë nga qyteti i Pogradecit, Presidenti i Republikës Ilir Meta bëri një deklaratë te fortë referuar krizës politike, sipas tij, ku ndodhet vendi, pasi opozita dogji mandatet dhe ka zbritur në rrugë duke kërkuar largimin e qeverisë Rama me protesta, disa prej të cilave janë shoqëruar me dhune.
Për të dalë nga kjo situatë, Meta bëri një lëvizje të papritur, duke u shprehur se është i gatshëm të sakrifikojë jetën e tij duke u vetëvrarë në mënyrë që vendi të dalë nga kriza politike, që sipas tij mund të thellohet edhe më tej.
Do ta bënte këtë veprim, njëjtë si presidenti i Kilit në vitet ’70-’73 Salvador Allende që u vetëvra si sakrificë ekstreme kundër instalimit në pushtet të një junte ushtarake.
Deklarata solli reagime të shumta, pjesa më e madhe ironike nga qeveria dhe qytetarët, ndërsa mbështetje gjeti vetëm te opozita, jo nga e reja në Kuvend, por ajo që tashmë ka dalë në rrugë.
Qytetarët dhe shumica ironizuan në mënyra të ndryshme frymëzimin nga Kili të kreut të shtetit shqiptar, por duket se në fakt, nuk ka qenë Salvador Allende burimi, por bashkëshortja e tij, që është kryetare e LSI-së.
Edhe pse Monika Kryemadhi deklaroi dy net më parë se me burrin e saj, që është kreu i shtetit nuk flet brenda shtëpisë për politikë, por bën vetëm dashuri, gjuha politike dhe strategjia e tradhtojnë.
Pikënisja e veprimeve ekstreme për daljen nga situata politike është pikërisht nga familja Presidenciale, nga Monika Kryemadhi, gruaja e kreut të shtetit.
Në datë 14 shkurt, dy ditë para protestës së parë të opozitës së bashkuar përpara Kryeministrisë, Monika Kryemadhi në emisionin ‘Të Paekspozuarit” u shpreh se ishte gati që të bëhej kamikaze për të larguar Edi Ramën nga pushteti, video qe na e sjell Report TV.
“O do iki Edi Rama, o do iki Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi! Do bëhem kamikaze me dëshirën më të madhe, pasi jam e gatshme të marr me vete Edi Ramën që të zhbllokoj Shqipërinë” tha ajo duke zbuluar kështu se kush paska qenë frymëzimi i vërtetë i Presidentit.
E ndërsa paralajmërimi i fortë i Kryemadhit në 16 shkurtin e protestës se ‘Ose do ikë Rama, ose unë e Luli’ doli huq, (pasi kryeministri nuk u rrëzua) duket se në të njëjtën mënyrë do të përfundojë edhe frymëzimi i dytë nga familja Presidenciale, këtë herë në gjuhën e kreut të shtetit, pasi në të gjitha rastet shumica do ta kishte gati një pasuesin e tij.
Edhe pse Monika Kryemadhi deklaroi dy net më parë se me burrin e saj, që është kreu i shtetit nuk flet brenda shtëpisë për politikë, por bën vetëm dashuri, gjuha politike dhe strategjia e tradhtojnë.