Argjentina fitoi 3-0 me Kroacinë në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Botës dhe bëhet finalistja e parë e “Katar 2022”. Në stadiumin “Lusail Iconic” skuadra e Lionel Scalonit nuk e vendosi në diskutim fitoren duke dominuar me raste të pastra. Lionel Messi në minutën e 34 dhe Alvarez në minutat 39 dhe 69 vendosën ndeshjen.
“Pleshti” shkëlqeu në këtë përballje duke shënuar një gol dhe asistuar për Alvarez.
“Albiceleste” prek finalen e gjashtë të Botërorit, nga të cilat dy herë ka triumfuar (1978, 1986). Tetë vite nga finalja e fundit për Messin, kapiteni i Argjentinës ia del të shkojë në një tjetër finale të madhe duke kërkuar të ngrejë trofeun më të rëndësishëm në botë për herë të parë.
Tanimë Argjentina pret e qetë ndeshjen e nesërme mes Marokut dhe Francës për të mësuar kundërshtarin e finales së madhe që luhet në Doha të diel në 16:00.
Leo Messi ka folur pas kualifikimit të Argjentinës në finalen e Botërorit “Katar 2022”. Një nga lojtarët më të mirë të përfaqësueses argjentinase nuk i fshehu emocionet.
Ai tha se po kalon momentin spektakolar dhe është koha ta shijojë. Në fjalën e tij për mediet, sulmuesi i Argjentinës deklaroi:
“Më kanë kaluar shumë gjëra në mendje, është shumë emocionuese. Të shohësh këta njerëz, familjen gjatë gjithë Botërorit. Ishte diçka e pabesueshme, tani jemi aty ku dëshironim të ishim.
Po i gëzohem shumë deri këtu ku kemi mbërritur, e nisëm duke humbur. I kërkuam njerëzve që të kishin besim te ne pasi e dinim. Ky grup është i çmendur, ia dolëm. Ndaj të gëzojmë gjithçka.
Në këto momente kujtohem për familjen time, ky është maksimumi për mua, e kemi kaluar shumë keq dhe tani mund të përjetojmë diçka spektakolare”, tha ai.