Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në ditën e tretë të Festivalit të Politikës Atreju 2023, me ftesë të Kryeministres Meloni, u takua në Romë me biznesmenin dhe investitorin Elon Musk, i cili ishte gjithashtu i ftuar në këtë event dhe shprehu dëshirën për vizituar Shqipërinë.
Rama ka ndarë disa pamje në rrjetet sociale, teksa shihet duke biseduar me Musk të rrethuar nga gazetarë dhe kamera të shumta.
“Me Mister X në Romë”, ka shkruar Rama krahas pamjeve nga takimi. Siç mëson Report TV, multimiliarderi ka shprehur dëshirën për të ardhur në Shqipëri, ndërsa Rama e ka ftuar duke i thënë që nuk do të pendohet.
“Do më pëlqente të vija në Shqipëri!” – u shpreh Musk.
“Eja, ka shumë për të parë dhe bërë në Shqipëri, po mbi të gjitha e sigurtë që s’do pendohesh” – ftoi Kryeministri Rama.