Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e OKB-së, u shpreh se anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit shënon një tjetër gur themelor në rrugën drejt transformimit në përmbushjen e aspiratave si komb.
Pjesë nga fjala e Kryeministrit Edi Rama
“Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë, që shënon edhe një tjetër gur themelor në rrugën tonë të transformimit për të përmbushur aspirata tona si komb dhe për të kontribuar që ta bëjmë botën një vend më të mirë për ne dhe për të gjithë. Më lini ta nis duke dalë jashtë skenarit dhe duke e thënë troç, përkundër këshillës së ambasadorit dhe të të tjerëve:
Sikur për asgjë tjetër, por vetëm për një tubim si ky, ku kaq shumë miq e të ftuar të shquar janë të pranishëm për të ndarë këtë moment me ne, ma ha mendja se Mandati i Këshillit të Sigurimit ia vlen. Ju faleminderit që jeni këtu.”, tha Rama, duke shtuar: “Shqipëria ishte një bunker në terr. Për thuajse gjysmë shekulli, ajo u zvarrit nën një nga regjimet komuniste më shtypëse në Europë, që e bëri vendin tonë, më duhet ta them, Korenë e Veriut të Europës.
u shkërmoq falë thirrjes së njerëzve drejt asaj çka për natyrën njerëzore është një nevojë e brendshme: lirisë, barazisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Shumë herë, rrota e historisë lëviz në drejtime të çuditshme.
Për ne shqiptarët, zgjimi erdhi mjaft vonë, por ne i mbajtëm sytë kah na thërriste drita dhe qysh atëherë kemi ecur në një drejtim të vetëm, atë të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtave e dinjitetit të njeriut, zhvillimit dhe reformave.
Që prej kësaj kohe, kërkimi i vendit të merituar në rajon dhe Europë ka mbetur busulla jonë, edhe në momentet më të mundimshme në rrugën tonë të vështirë drejt një shoqërie të lirë e demokratike, drejt familjes me të cilën duam të bashkohemi, familjes europiane së cilës i përkasim.
Bota ka ndryshuar dhe është transformuar gjatë 76 vjetëve të fundit. Shumë vende e shoqëri kanë parë jetët e tyre të ndryshojnë rrënjësisht, por mund ta them pa asnjë dyshim se transformimi i Shqipërisë është një prej më mbresëlënësve e më me ndikim, deri në atë pikë sa prirem te bie dakord me miqtë që na thonë se përgjatë tri dekadave të fundit, Shqipëria është transformuar më shumë se gjatë tre shekujve të fundit. Ky është bilanci ynë, për të cilin jemi krenarë dhe duam ta përmirësojmë më tej.
Në ditët e sotme ne vërejmë se vlerat që dikur i merrnim të mirëqena si aspirata për t’u arritur janë vënë në mëdyshje, por, ne që u kemi mbijetuar kohëve të errëta, këto dyshime nuk i ushqejmë, sepse e dimë se cila është alternativa e këtyre vlerave. Ne i kemi vënë të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut në qendër të agjendës sonë për mandatin në Këshillin e Sigurimit. Ne i shohim ato si përparësitë e organizmit më të fuqishëm në botë”.