Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu kanë dalë sot në një konferencë të jashtëzakonshme për situatën e koronavirusit në vendin tonë.
Rama ngre alarmin se nisur nga statistikat e ditëve të fundit është koha për përgjegjësi qytetare maksimale.
“KOHA PËR PËRGJEGJËSI QYTETARE MAKSIMALE NË KËTË FAZË RRITJEJE TË NUMRIT TË INFEKTIMEVE – Sinjalet për hyrjen edhe në Shqipëri të varianteve të reja të COVID19 dhe rritja e numrit të infektimeve tek moshat e reja, janë arsye të forta për të reaguar fort së bashku tani, pa humbur asnjë ditë, që të pengojmë medoemos kthimin tek masat e forta kufizuese”, shkruan Rama.
Sipas tij, autoritetet që janë përgjegjëse për zbatimin e masave, kanë pasur një qasje këshilluese, sesa represive.
“Kemi sinjale te arsyeshme se në Shqipëri kanë hyrë variante të reja të covid 19…kemi rritje të infektimeve edhe në grupmoshat e reja. Jemi shumw të motivuar të bëjmë çdo gjë si duhet që të mos detyrohemi të kthehemi tek masat e forta kufizuese. Për ketë duhet motivim i gjithsecilit. Ajo që po konsiderohet kudo si një tjetër valë infektimesh dhe që u vu re me numra që u rritën në mënyrë dramatike po reflektohet tani edhe këtu.
Masat që janë në fuqi janë masa që në këndvështrimin e ekspertëve të komitetit teknik funksionojnë, por që të funksionojnë siç duhet, duhen zbatuar. Është vënë re një shkelje rregullash kohët e fundit, është e papërgjegjshme që edhe politikanët i shkelin rregullat nëpër grumbullime”,- tha Rama