Tension, fishekzjarre, penallti të anuluara, penallti të humbura, ndërprerje të shpeshta të ndeshjes, por në fund derbi i kryeqytetit pati vetëm një fitues. Partizani ka mundur 2-0 Tiranën, në ndeshjen e kampionatit, të luajtur në “Air Albania”.
Minutat e para u shoqëruan me tension të vazhdueshëm, teksa pas hedhjes së fishekzjarrëve në fushë mbetën të dëmtuar të dy portierët e të dy skuadrave, Bekaj dhe Rexhepi. Pas rifillimit të lojës, do ishte Christan Mba që do ndizte festën e kuqe në stadium, koordinim perfekt i tij me kokë për të realizuar kështu golin e parë personal në derbi.
Fundi i pjesës së parë do shihte Patrick protagonist. Lojtari i bardhebluve pengohet në zonë dhe arbitri Juxhin Xhaja akordoi penallti por gëzimi zgjati shumë pak, pasi VAR nuk mendoi kështu dhe e anuloi 11-metërshin.
Pjesa e dytë do niste mirë për të besuarit e Shehit, gol i Hasanit por u anulua për pozicion jashtë loje.
Ekipi i Colellas do fitonte penallti në minutën e 60-të, 11-metërshi u mor nga Rrapaj, por u ekzekutua keq nga Bruno Telushi. Fantastik edhe Visar Bekaj në mes të shtyllave, i cili i mohoi golin Telushit.
Në minutën e 80-të, Tedi Cara përfitoi pas një gafe në mbrojtjen kundërshtare, duke dyfishuar shifrat dhe duke vulosur një herë e mirë fatet e derbit.
Kështu kampionati mbetet më i hapur se asnjëherë, Partizani dhe Tirana kanë të njëjtën kuotë pikësh (40’) dhe ndajnë kreun e tabelës së bashku.