Ndryshe nga si jemi mësuar ta shikojmë në ekran, Mihrije Braha ka pranuar sot sfidën për të gatuar në emisionin “Kush vjen për dekë” në Tv Klan. Ajo tha se ka raport të mirë me gatimin, por produktet e brumit janë ato të cilat këngëtarja nuk preferon t’i gatuajë.
Gjatë emisionit, ishte gazetari nga Kosova, Robert Bojaj, i cili përmes një videomesazhi zbuloi edhe arsyen se përse këngëtarja Mihrije Braha ka vendosur të mos gatuajë më produkte brumi.
“Do doja të të ktheja në vitet ‘90, koha kur kemi qenë në gjendje lufte në Kosovë. Ti bashkë me Naimin nuk keni reshtur së punuari, keni kontribuar shumë. Por unë do doja të ndalesha në një moment kur unë bashkë më Naim Abazin, Armend Rexhepagiqin dhe Aida Barakun kemi qenë në apartamentin tuaj dhe Mihrije Braha shprehu gatishmërinë për të gatuar pite.
Por më interesantia është se si është frikësuar Armend Rexhepagiqi se mos helmohej po ta hante atë pite. Armendi të ka përgjuar gjatë kohës që ke përgatitur piten, por unë pres që ta tregosh t’i historinë”, tha në Bojaj.
Pas videomesazhit, këngëtarja tregoi se si përgatiti pite për miqtë e saj dhe se nuk i kishte dalë e mirë dhe ata e kishin tallur. Pas atij momenti, ajo tregon se ka vendosur të mos gatuajë më produkte brumi.
“Kjo histori është shumë e vërtetë. Unë në atë kohë e kam patur djalin të vogël dhe në mbrëmje nuk dilnim dot për të blerë ushqime. Naimi ishte duke xhiruar një videoklip me Armendin dhe Aidën dhe më kërkojnë që të përgatis diçka për të ngrënë.
Dhe unë hapa frigoriferin dhe kisha vetëm spinaq, ajkë, djathë dhe miell. Dhe vendosa të bëj petë, por Armendit nuk i pritej të piqej dhe hapte sobën, s’kishte besim. Më kanë tallur dhe pas asaj here unë kam bërë be që nuk do të gatuaj më brumëra”, tha Braha.