“Ju falënderoj për praninë dhe mirupafshim!” Kështu ju drejtua Sali Berisha të pranishmëve në protestën e thirrur këtë të enjte para Parlamentit dhe iku u mbyll në selinë e SHQUP, në pritje të vendimit të Gjykatës për arrest shtëpie, apo arrest në burg.
Prej të hënës, në telefonat e militantëve të PD, mbërrinte një mesazh që iu kërkonte të dilnin në shesh të enjten, me thirrjen “O sot, o kurrë”.
Por siç u pa, me sa duket ata zgjodhën “kurrë” dhe e lanë vetëm Sali Berishën në ditën më të vështirë të tij, për t’u përballur i vetëm me drejtësinë, pa pasur imunitetin e deputetit.
Në shesh dolën më pak njerëz edhe se sa ishin të hënë, ndaj dhe Berisha nxitoi të largohej për në selinë e SHQUP.
Dhe në pritje të vendimit të gjykatës, nuk i mbetej gjë tjetër për të thënë, veçse mirupafshim!