Pak ditë para ditës së inaugurimit, punimet në bazën ajrore të Kuçovës janë drejt përfundimit, për ta kthyer atë në një bazë taktike të NATO-s.
Përgatitjet e bazës së NATO-s në Kuçovë janë drejt fundit dhe për herë të parë Ministria e Mbrojtjes ka publikuar pamjet e brendshme kësaj godine. Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral brigade Ferdinand Dimo tregon se funksionet që do të kryejë kjo bazë me t’u vënë në punë.
“Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”.
Baza taktike e NATO-s në Kuçovë do të shërbejë edhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë qarkut të Beratit.
“Ndërtimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë ka një impakt të jashtëzakonshëm zhvillimor në komunitet dhe në të gjithë hapësirën e qarkut të Beratit”, shprehet Gjeneral brigade Ferdinand Dimo.
Ai tregon edhe hapat e deritanishëm, që nga momenti kur u vendos se në Kuçovë do të ndërtohej një bazë ajrore për NATO-n.
“Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare”, sqaron Komandanti i Forcës Ajrore.
Baza Ajrore e Kuçovës do të inaugurohet më 4 mars, sipas planit të parashikuar. Në ceremoni do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe SHBA.