Në ‘zemër’ të trazirave që tronditën Gjeorgjinë, një grua e re u mori vëmendjen me qëndrimin e saj të patrembur, duke arritur të çajë kordonin e policisë në Tbilisi.
Sipas mediave të huaja, imazhi i saj, teksa ecën me vendosmëri kundër një sërë mburojash të efektivëve dhe godet kordonin e mburojave të policisë, është kthyer në një simbol të protestave.
Kjo skenë dinamike të kujtonte një heroinë të lashtë që luftonte kundër çdo kundërshtari, duke nxjerrë në pah fuqinë e rezistencës dhe shpresës.
Në një lëvizje plot guxim, gruaja dukej e patrembur nga prania e madhe e policisë dhe tentoi të çante kordonin. Ajo goditi mburojat me vendosmëri, duke sfiduar kërcënimin e arrestimit. Videoja në fjalë është shpërndarë gjerësisht, duke prekur dhe frymëzuar ata që ndjekin situatën në Gjeorgji.
Mobilizimet e protestave në Gjeorgji nisën pak ditë më parë, me rastin e vendimit të partisë në pushtet për të pezulluar bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian deri në vitin 2028.
Ky vendim ka zemëruar një pjesë të madhe të popullsisë, të cilët e konsiderojnë atë regresiv dhe të motivuar nga presioni rus.
Rruga e pranimit të vendit në BE është një çështje që mbart peshë të fortë emocionale dhe politike për gjeorgjianët, të cilët e shohin atë si një rrugë drejt lirisë, demokracisë dhe një largim nga ndikimi rus.
Më shumë se 300 persona janë arrestuar deri më tani, dhe ka ankesa për përdorim të tepruar të forcës nga policia.