Edhe pse prej dy ditësh një video e pazakontë po qarkullonte në media në lidhje me një ngjarje të ndodhur 7 ditë më parë ku disa të armatosur dhe të maskuar futen në një lokal dhe kryejnë kontroll klientëve, blutë e Lezhës kanë reaguar sot, pas një jave për këtë ngjarje të rëndë. E gjithë skena e frikshme ka ndodhur në një lokal në Zejmen.
Tre të armatosurit, të cilët ende nuk janë identifikuar, i kanë shkuar pronarit të lokalit 25-vjeçarit, Ani Kola, që siç duket për ta vrarë, më datë 13 nëntor, pasi kishin pasur një konflikt me këtë të fundit.
25-vjeçari, i cili është shpallur në kërkim, nuk ishte i pranishëm në ato momente në lokal, gjë që shmangu edhe ndonjë vrasje të mundshme.
Ndërkaq policia ka shpallur në kërkim edhe tre të rinj të tjerë, shtetasit F.B., 26 vjeç, M.V.,29 vjeç dhe I.A., 34 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë, të cilët ndodheshin klientë në lokal, për vepren penale “Moskallëzim i krimit “, kryer në bashkëpunim. Ky reagim i policisë së shtetit, për një situata kaq të paprecedentë, vjen pas dy ditësh që video me tre personat e armatosur po qarkullonte në media.
Nga pamjet vërehet se 3 personat e armatosur kërcënuan klientët që ishin në një tavolinë dhe u kërkuan mjetet e identifikimit. Pasi shohin identitetin e tyre personat e maskuar dhe të armatosur dalin nga lokali dhe largohen. Ndërkohë policia e Lezhës thotë se nuk ka pasur asnjë denoncim për rastin dhe shton se ato nuk kanë vjedhur apo grabitur asgjë.