Nuk është i paktë numri i njerëzve, sidomos femra, që kanë bërë miliona dollarë nëpërmjet ekspozimeve në rrjetet sociale.
Fakti që ekspozimet e lakuriqësisë, vanitetit dhe ekstravagancës ndiqen nga miliona njerëz në rrjetet sociale nuk do të thotë se veset janë bërë virtyte dhe as amoraliteti është bërë arritje.
Ato thjesht tregojnë se numri i njerëzve që i përkasin vulgut në botë është dëshpërimisht i madh dhe, rrjedhimisht, ndjekja e këtij vulgariteti që shfaqet po merr përmasa të frikëshme.
Pastaj, konsumatorët, të pasur apo të varfër qofshin, do paguajnë.
Kështu i takon që, pa dashjen tonë, ne të “blejmë” edhe lakuriqësitë dhe perversitetet që shfaqen në rrjetet sociale. Ngado të sillesh, nuk i shmangesh dot “blerjes” së detyruar të imoralitetit dixhital, duke u bërë kështu viktimë e shthurjes që ka kapluar shoqërinë njerëzore dhe që nxitet e promovohet përditë nga bota e biznesit.
E njëjta gjë ndodh edhe me jo pak emisione televizive “argëtuese”. Vulgariteti i tyre në disa raste futet brenda kufijve të pornografisë dhe formave të tjera të imoralitetit. Liria nënkupton të drejtën e individit për të bërë ato që dëshiron ai në dhomat e gjumit, por jo “të drejtën” për të na i ekspozuar ato publikisht dhe për të na i shitur për arritje dhe art.
Shihni më poshtë editorialin e përgatitur nga DITA, shkruar nga Viktor Malaj.
Nga Viktor Malaj
Botuar në DITA
“Të përhapësh dije pa moral është mungesë e jashtëzakonshme përgjegjësie” – Uejn Xherard Trotmën (Shkrimtar dhe dramaturg anglez)
Muzika rep ( rap) është një zhanër muzikor e krijuar fillimisht nga pjesa më e pakultivuar e shoqërisë amerikane të periferive të Nju-Jorkut në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Edhe sot, në shumicën dërmuese të rasteve, kjo lloj muzike krijohet dhe interpretohet nga individët më pak të zhvilluar të shoqërisë kudo në botë.
Mjafton të kujtojmë që, përveç mungesës së cilësisë artistike dhe nivelit interpretues, shumica e këngëtarëve të këtij zhanri muzikor iu përkasin kategorive shoqërore më të pakulturuara dhe më të padenja në raport me etikën dhe ligjin. Një numër jashtëzakonisht i madh i këtyre këngëtarëve, kudo në Perëndim, janë vrarë a vetëvrarë, janë përfshirë në shkeljen e rregullave të bashkëjetesës shoqërore ose në veprimtari të paligjshme që lidhen me drogën, armët etj..
Një nga këta individë është edhe reperja amerikane Danielë Bregoli (Peskoviç), e njohur ndryshe me emrin artistik Bhad Bhabie. Bregoli, adoleshente 19-vjeçare, e prejardhur nga një familje me probleme- babai e ka braktisur përfundimisht të bijën e cila e ka filluar karrierën muzikore shumë e vogël- ka shfaqur herët probleme të personalitetit, duke u përfshirë në kryerjen e akteve të paligjshme deri në mbajtje armësh pa leje dhe kanosje të individëve të ndryshëm. Për këto arsye u është nënshtruar trajtimeve në disa qendra të rehabilitimit për të rinj.
Mirëpo, si në shumë raste të tjera, media, për interesa të veta komerciale dhe aspak kulturore e morale, e ka popullarizuar shpejt dhe ngritur në idhull të miliona njerëzve. Nëse veprimtaria e medias nuk të bën shumë përshtypje, pasi ajo sot në botë është shndërruar në laborator të prodhimit dhe rritjes së idhujve të rremë dhe, jo rrallë, promovuese e veseve dhe e bartësve të tyre, të çudit fakti se si është e mundur që një institucion shumë prestigjioz si Universiteti i Oksfordit arrin deri aty sa të ftojë “për bisedë me studentët” një individ si Bregoli.
Universiteti i Oksfordit në Angli, mbi 9 shekuj i vjetër, qendër famëmadhe e dijes, në të cilin kanë studiuar tridhjetë kryeministra të Mbretërisë së Bashkuar dhe 73 fitues të Çmimit Nobel në fusha të ndryshme, fton për të “mbajtur fjalim” një adoleshente me tetë klasë shkollë dhe me probleme të rënda të personalitetit, por që ka një “veçanti”: ka hapur dikur një llogari në portalin (platformën) onlajn OnlyFans dhe ka publikuar atje foto dhe video gjysmë pornografike dhe, si rezultat i kësaj, ka fituar rreth 50 milion dollarë.
Në Universitetin e Oksfordit janë ftuar dhe kanë mbajtur fjalime personalitete botërore të shkencës, dijes dhe kulturës si Albert Ajnshtajn, Dalai Lama, Nënë Tereza, Mbretëresha Elizabetë e Dytë e Anglisë, disa presidentë amerikanë, këngëtarja Shakira etj.etj. Do të ishte normale dhe e pritshme që në këtë qendër botërore të dijes të thirreshin edhe soprano apo tenorë të mëdhenj botëror, por duket e papranueshme të ftohet një individ i tillë, estetikisht e shpërfytyruar dhe etikisht e përbuzshme, duke iu drejtuar: “Është një nder për ne t’ju mirëpresim ju për të vazhduar traditën tonë të mrekullueshme”.
Kjo është padyshim e tepërt dhe vetëdiskredituese. Dhe, si për ironi, këngëtarja gjysmë analfabete pohoi se “Po eci në gjurmët e Ajnshtajnit”.
Se çfarë gjërash të vlefshme mund të dëgjonin dhe të mësonin studentët e Oksfordit nga një “personalitet” i tillë vetëm një perëndi e di.
Komercializimi i jetës shoqërore është një fenomen mbarëbotëror por, kur ky komercializim pushton qendrat kryesore të dijes botërore, atëherë njerëzimi nuk duket se i ka punët mirë. Duket qartë që e vetmja shtysë e Unionit universitar për të ftuar Bregolin ka qenë fakti që ajo u shndërrua “brenda natës” në milionere, jo për shkak të ndonjë arritjeje kulturore, shkencore apo humanitare, por thjesht dhe vetëm për shkak të ekspozimit ekstravagant të vulgaritetit, lakuriqësisë dhe perversitetit.
Një universitet që ka si moto të vetën “Dominus Illuminatio Mea” (Zoti është drita ime) nuk mund dhe nuk duhet kurrsesi t’iu sjellë studentëve si shembull për t’u ndjekur një individ që është pasuruar nëpërmjet ekspozimit të veseve dhe që, në mos përbuzje, meriton thjesht mosvëmendje. Të pretendosh se “Zoti është drita ime” dhe të ngresh lart kultin e parasë ke shpërfillur vetë Zotin, që, nëpërmjet Biblës thotë se: “Nuk mund t’iu shërbesh njëkohësisht dy zotërinjve: edhe Zotit, edhe pasurisë”, do të thotë se sillesh e vepron me hipokrizi mashtruese.
Ishte e dhimbshme të shikoje disa qindra studentë që dëgjonin me vëmendje “leksionet” e Bregolit dhe e duartrokisnin atë (për çfarë?!) dhe të mendoje se atyre, dhe bashkëstudentëve të tjerë, iu është dashur, si nevojë për dije, të shpenzojnë mijëra orë e ditë mbi libra për t’u bërë “dikushi” dhe për të siguruar një jetesë normale me rrugë dhe mjete dinjitoze.
Jo pak prej tyre dhe studentëve të tjerë në botë duhet t’ju lind mëdyshja: Përse duhet të “shkoj dëm” jetën duke sakrifikuar mbi libra dhe në laboratorë kur mund të bëhem milioner nëpërmjet rrugëve të lehta, të pamundimshme dhe të paskrupullta që na ka ofruar shthurja e sotme e njerëzimit e shitur për “liri” dhe “zhvillim”?!
Promovimi i veseve në vend të virtyteve, i instinkteve në vend të arsyes, i ekstravagancës në vend të punës, dijes dhe jetës dinjitoze, më pak se kujtdo tjetër iu shkon qendrave të arsimimit, dijes e kulturës.
Rasti i motrave Kardashian në SHBA, të cilat janë bërë të famshme dhe të pasura falë mungesës së çdo skrupulli moral për të ekspozuar lakuriqësinë dhe ushtrimin e veseve e të instinkteve, tregon qartë se deri ku arrin etja për fitime materiale dhe në çfarë të tatëpjete rrokullisen virtytet dhe skrupujt në shoqërinë e sotme. Kur e pyetën në një intervistë televizive Kim Kardashian se cili ishte talenti i saj që e kishte bërë aq të suksesshme, ajo u përgjigj pa ngurrim se nuk e dinte deri atëherë se duhet të kesh talent për të qenë e suksesshme.
Ishte ky shkaku që gazetari dhe shkrimtari i njohur anglez Pjers Morgan i tha Kardashianit: “Talenti yt i vetëm ka qenë të mashtrosh kaq shumë njerëz për të besuar se je dikush i denjë për idhujtarinë dhe paratë e tyre të gabuara. Si e tillë, ti nuk duhet të jesh asnjë lloj modeli aspirues për brezat e rinj për t’u admiruar ose ndjekur. Ti nuk je ëndrra amerikane Kim! Ti je makthi amerikan”.
Nuk është i paktë numri i njerëzve, sidomos femra, që kanë bërë miliona dollarë nëpërmjet ekspozimeve në rrjetet sociale.
Fakti që ekspozimet e lakuriqësisë, vanitetit dhe ekstravagancës ndiqen nga miliona njerëz në rrjetet sociale nuk do të thotë se veset janë bërë virtyte dhe as amoraliteti është bërë arritje. Ato thjesht tregojnë se numri i njerëzve që i përkasin vulgut në botë është dëshpërimisht i madh dhe, rrjedhimisht, ndjekja e këtij vulgariteti që shfaqet po merr përmasa të frikëshme.
E keqja nuk është vetëm edukimi i njerëzve me antivlerat, por edhe fakti se duke u ndjekur banaliteti dhe amoraliteti nga kaq shumë njerëz, aty fillon edhe komercializmi, pasi bizneset paguajnë miliarda për reklamat e mallrave në ato faqe onlajn. Pastaj, konsumatorët, të pasur apo të varfër qofshin, do të paguajnë për mallrat që blejnë, qofshin ato këpucë apo makina, bashkë me çmimet e reklamave.
Kështu i takon që, pa dashjen tonë, ne të “blejmë” edhe lakuriqësitë dhe perversitetet që shfaqen në rrjetet sociale. Ngado të sillesh, nuk i shmangesh dot “blerjes” së detyruar të imoralitetit dixhital, duke u bërë kështu viktimë e shthurjes që ka kapluar shoqërinë njerëzore dhe që nxitet e promovohet përditë nga bota e biznesit.
Disa nga reperët tanë sillen njësoj si modeli i tyre amerikania Danielë. Në mediat shqiptare të shkruara apo vizive që “qajnë hallet tona” të përditshme, përbri apo ngjitur tyre gjejmë lavdërime pafund të veseve të ilustruar me kujdesin më të madh me gjokse e të pasme lakuriq, të shoqëruara me shkrime tërheqëse dhe përcaktimet joshëse si “VIP, modele, personalitet televiziv, influencuese, artist, moderatore etj, etj”.
Më së shumti shquhen në këtë shëmti portalet. Vizitori apo lexuesi klikon për lajmin, të mësojë si, ku dhe për ç’motive ndodhi vrasja, cila është vjedhja apo afera korruptive e bujshme etj. Por ato që bashkëshoqërojnë lajmet e bëjnë vizitorin të harrojë lajmin dhe të mos mendojë për përgjegjësitë dhe përgjegjësit konkret, për rreziqet që i kanosen seriozisht shoqërisë sonë. Kështu vesi dhe të këqijat e tjera, qeverisësit dhe të gjitha organet që kanë detyrë parandalimin e kriminalitetit dalin të fituara. I humburi i madh është virtyti.
E njëjta gjë ndodh edhe me jo pak emisione televizive “argëtuese”. Vulgariteti i tyre në disa raste futet brenda kufijve të pornografisë dhe formave të tjera të imoralitetit. Liria nënkupton të drejtën e individit për të bërë ato që dëshiron ai në dhomat e gjumit, por jo “të drejtën” për të na i ekspozuar ato publikisht dhe për të na i shitur për arritje dhe art.
Janë të shumtë ata që e kuptojnë se nxitja e veseve e ka shkakun te etja e bosëve të mediave për fitime, por çështja është se shoqëria duhet të ketë skrupuj dhe kod moral të mbrojtur me ligj e rregull. Për të frenuar përhapjen e të keqes nuk duket se ka nevojë të krijohen institucione të posaçme, janë të mjaftueshme ato që paguhen nga buxheti i shtetit. Çështja është të veprojnë duke koordinuar midis tyre.
Në të kundërt nuk duhet të çuditemi nëse shoqëria jonë dominohet një ditë nga “njeriu i ri kapitalist”, të cilin filozofi bashkëkohor francez, Mishel Onfrej e portretizon me këto fjalë: “Ky njeri i ri është një krijesë e sintetizuar në veprën e Sade: pa Zot, pa shpirt, pa arbitër të lirë, pa moral, pa humanizëm, është një hero i “120 ditëve të Sodomas”, një lloj makine e dëshirës paskristjane, që nuk ia ka frikën as Zotit, as djallit, që nuk i beson as parajsës dhe as ferrit, as të mirës dhe as të keqes”. /Dita