Pas disa ditësh tensioni, në të cilën studentë apo militantë të lidhur me partitë politike të opozitës penguan zhvillimin e mësimit me forcë në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, ditën e sotme është rikthyer normaliteti.
Burime brenda këtij Fakulteti bëjnë me dije se këtë të hënë po zhvillohen normalisht të gjitha lëndët dhe në mbi 80% të klasave.
Grupet e vogla të studentëve që vazhdojnë bojkotin janë në masë të madhe të njëjtët që tentuan të ngujoheshin ose të bllokonin rifillimin e mësimit gjatë dy javëve të fundit.
Pavarësisht kësaj, pas plotësimit të kërkesave të paraqitura në protestat e muajit dhjetor, shumica dërrmuese e të rinjve është bindur për vazhdimin e mësimit.
Gjithashtu, mësohet se në Fakultetin Ekonomik vijon aplikimi i studentëve ekselentë në portalin “Punë të Mbarë”, një portal i cili do të mundësojë punësimin automatik të më të mirëve në administratë.
Aktualisht, janë mbi 800 vende pune në dispozicionin e studentëve me mesatare mbi 9, të ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë midis atyre që kërkojnë master dhe atyre që kërkojnë vetëm bachelor.
Aplikimi në këtë portal eliminon intervistën e punës apo kërkesën për përvojë të mëparshme, duke sjellë punësimin e menjëhershëm të të rinjve në sektorët e kërkuar.
Kriteri i vetëm në përzgjedhje është mesatarja, me më të mirët që do të zgjedhin të parët, e në vijim të gjithë të tjerët.