Mediat kanë raportuar se përgjatë protestës së zhvilluar ditën e sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit kanë patur përplasje të forta me efektivët e policisë. Madje, këto të fundit janë akuzuar edhe për ushtrim dhune ndaj qytetarëve që ndodheshin në tubim.
Megjithatë, reporteri dhe aktivisti Isa Myzyraj ka publikuar një video. Në të dukej ai, i cili po mundohej të shkrepte një foto, dhe policia që po e mbronte nga protestuesit e revoltuar.
Myzaraj ka shkruar në krah të videos se policia ishte në lartësinë e duhur, dhe se gjatë gjithë kohës efektivët e kanë kryer detyrën për së mbari.
Reagimi i plotë:
Po dëgjoj postprotestën, që policia paskërka dhunuar protestues, madje dhe një gazetar!
Sot me bindje të plotë e them se policia ka qenë në lartësinë e saj më të duhur. Sot policia ka qenë fiks Policia që dua, sot policia nuk ngriti shkopin, as atëherë kur gurët bienin turinjve të tyre. Sot policia nuk bëri hapin as atëherë kur tymueset u binin m’u përpara këmbëve, sot policia as nuk ngriti gishtin, as atëherë kur shkopinjtë e gjërat rrethanore u bienin në fytyrë.
Nuk po bëj fajtorë protestuesit, sepse ishte e drejta e tyre e protestës madje mendoj edhe e dhunës, por asesi nuk mund të përbaltet policia, sepse sot ata ishin duke bërë detyrën, dhe e bënë për së mbari!