Kanë vijuar edhe ditën e sotme përplasjet mes protestuesve dhe policisë në Bulevardin Bonne Nouvelle në Paris.
Të paktën 800 mijë persona janë mbledhur në kryeqytetin e Francës, numri më i lartë deri tani sipas raportimeve. Ndërkohë, ministria e Brendshme e vendit nuk ka publikuar ende shifra.
Mediat franceze shkruajnë se të paktën 350-400 persona, të gjithë të veshur me të zeza, me flakadanë në duar kanë sulmuar bizneset në zonë.
Nga ana tjetër, policia është duke u përgjigjur me gaz lotsjellës, megjithatë turma mesa duket është e pamenaxhueshme.
Ndërkohë, larg nga protestat nëpër Francë, presidenti Emmanuel Macron u është bashkuar liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel për samitin e marsit.
Francezët po protestojnë kundër reformës së pensioneve të miratuar nga qeveria Macron. Nisur nga muaji prill, francezët do të dalin në pension në moshën 64-vjeçare dhe jo 62 siç ishte më parë.