Partia Demokratike dhe aleatët e saj, një ditë pas hapjes së fushatës, prezantuan programin elektoral, ku në krahun e majtë të Sali Berishës u shfaq edhe këshilltari amerikan, Chris LaCivita. Mbledhja e Kuvendit Kombëtar ku u prezantuan pikat kryesore të programit, u mbajt në Pallatin e Kongreseve, por pjesëmarrja la për të dëshiruar.
As Chris LaCivita nuk e mbushi sallën, ku siç shihet edhe në pamjet që sjell Report Tv, një pjesë e karrigeve në sallë ishin bosh. Duket se edhe Chris LaCivita e ka të vështirë të frymëzojë demokratët dhe shqiptarët të ndjekin programin e PD-së, pavarësisht premtimeve se LaCivita do të ishte magjistari i fushatës së Berishës.
LaCivita u ngjit sërish në podium, por njëjtë si dje, mbajti një fjalim shumë të shkurtër rreth 2 minuta. ‘Truri ndërkombëtar’ i fushatës së demokratëve, LaCivita tha se programi i Berishës është konservator dhe i ngjashëm me të presidentit Donald Trump dhe ish-presidentit Ronald Reagan.
“Të gjithë e dimë se 12 vitet e fundit nën drejtimin e Edi Ramës kanë qenë një dështim i plotë dhe i madh. Një dështim në drejtimin e qëndrueshëm dhe një dështim për familjet shqiptare. Ndërkohë kemi Dr. Berishën, një mik të vërtetë për familjet shqiptare. Ai ka një program të vërtetë për të ulur koston e jetesës për familjet shqiptare dhe një plan të mirëfilltë konservator, ashtu si Presidentët Ronald Reagan dhe Donald Trump.
Është një plan real për të ulur taksat, një plan real për rininë shqiptare, për punësim dhe mundësi. Kjo fushatë ka të bëjë pikërisht me këtë: udhëheqjen konservatore dhe të qëndrueshme të Dr. Berishës përballë një socialisti të paqëndrueshëm që fshihet pas hijes së vet. Një fitore për Dr. Berishën është një fitore për familjet shqiptare”, tha LaCivita.
Pas tij foli kreu i PD, Sali Berisha, teksa fjala e tij u parapri me kolonën zanore motiv të fushatës së demokratëve, këtë herë me hitin “Thunderstruck” (Bubullima), nga AC/DC (dje u hap me kolonën zanore të filmit “Rocky III”, “Eye of Tiger” (Sytë e tigrit), nga grupi muzikor ‘Survivor’). Ai sulmoi PS-në për vjedhjen e programit, duke deklaruar se PD po punonte prej 3 vitesh për këtë projekt elektoral.