Arratisje e pazakontë nga ambientet e brendshme të Gjykatës së Vlorës. Një i arrestuar në 2017-ën për “Shtrëngimi me anë të kanosjes” ose “dhunës për dhënien e pasurisë”, është arratisur këtë të mërkurë nga salla e katit të dytë të Gjykatës, ku kishte dalë përpara trupës për t’u njohur me dënimin.
I arratisuri është Mikel Kasa, 29-vjeç. Ai ka mundur t’u ikë forcave të policisë të cilat e kishin shoqëruar në sallën e gjyqit, në momentin kur trupa gjykuese ka lexuar vendimin e dënimit të tij.
Edhe pse shoqërohej nga dy oficerë policie në sallën e gjyqit, i dënuari ka mundur t’u ikë duke kapërcyer tavolinat. Në videon e arratisjes së të riut, shihet se si në ndjekje u vendosën rreth 6 persona, mes tyre edhe shoferi i Gjykatës, por pa mundur që ta ndalojnë.
Mësohet se dyert e gjykatës kanë qenë të hapura, çka ka ndihmuar 28-vjeçarin të realizojë planin e tij. Policia ka zbarkuar në terren me forca të shtuara për prangosjen e të arratisurit.
Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet pas arratisjes së një të dënuari nga ambientet e Gjykatës së Vlorës. Ndërsa tre policë të burgjeve po merren në pyetje dhe sipas të gjitha gjasave ata do të vihen para përgjegjësisë ligjore./ReportTv