Shqipëria ka mirëpritur rreth 9.7 milionë turistë nga janari deri në shtator të vitit 2024, duke shënuar një rritje të ndjeshme në të gjitha zonat turistike të vendit. Përveç bregdetit të njohur për bukuritë e tij spektakolare, turizmi malor ka përjetuar një zhvillim të veçantë në krahasim me vitin e kaluar, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë në peizazhet e saj të mrekullueshme natyrore nga Veriu në Jug.
“Paketa e Maleve,” e prezantuar së fundmi nga qeveria, pritet të rrisë më tej potencialin e turizmit malor përmes ofertave të posaçme që synojnë të nxisin zhvillimin e kësaj industrie. Kjo paketë do të përfshijë programe të veçanta dhe paketa turistike të dedikuara për të promovuar destinacionet malore dhe për t’u dhënë turistëve mundësi të reja për të eksploruar natyrën e virgjër dhe atraksionet historike që Shqipëria ofron në zonat malore.