Arrestohet një shqiptar i shpallur në kërkim. Pas 10 vitesh kërkim, nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane, ndalohet dhe arrestohet 42-vjeçari shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim”. Ditën e sotme në sajë të shkëmbimit të informacioneve midis strukturave të Policisë shqiptare dhe asaj italiane, në kuadër të operacionit policor i koduar “Fundi i arratisë”, u bë lokalizimi dhe kapja e shqiptarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar :
Ylli ( Fatmir ), Vangjelaj, 42 vjeç, banues në Vlorë.
Gjykata e Rrethit Vlorë e ka dënuar me 23 vjet burg, për veprën penale të “Vrasje me dashje kryer në bashkëpunim”. Mësohet se vrasja për të cilën është dënuar ky 42-vjeçari, është kryer në Itali në vitin 1999, si porosi e një grupi kriminal, ku është vrarë një shtetase ekuadoriane, e cila dyshohej se punonte si prostitutë. Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale :
– një automjet i markës “Wolksvagen Passat”.
– një leje drejtimi e cila dyshohet e falsifikuar pasi përmbante gjeneralitetet e të vëllait të personit të kërkuar
– dy telefona celular
Ky person u dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë për ekzekutimin e vendimit penal, pasi Gjykata e Vlorës ka njohur vendimin penal të Gjykatës Italiane, e cila e ka dënuar këtë me 23 vite burg./shqiptarja.com