Nga Anri Bala
Ngjarja e avokatit Sokol Mëngjesi, hapi një gropë tjetër të zezë të drejtësisë sterrë, që nuk ka reformë që e pastron. Jo vetëm që blerja dhe allishverishet vazhdojnë, por pazari ka shkuar lartë shumë, sepse malli “gjykatë ose prokuror që shet drejtësi” dhe blen shtëpi, është pakësuar në treg.
Tani është rritur shkalla e vështirësisë, madje pothuajse është mision i pamundur për të paguar si dikur, pa tu dridhur syri… direkt prokurorin ose gjyqtarin.
Por ama, çdo bravë e ka një çelës dhe është mision i mundur, po t’i gjesh “zagarin” tek i cili ai funksionar i drejtësisë ka besim të pakufishëm… sojin “avokat”, mes morisë së madhe të kategorive të ndryshme që sorollaten rrugëve e korridoreve të gjykatave në kërkim të viktimës së radhës, duke e ditur se në Shqipëri nuk pyetet avokatia, por zotësia e sekserllikut.
Janë me dhjetra raste ku avokatët janë ndaluar, proceduar dhe dënuar penalisht, por kurrë nuk i është dhënë rëndësi aftësisë profesionale, sepse aftësia e tyre para gjyqtarëve, nuk vlen asnjë “grosh”, sepse ata janë gjithmonë palë me shtetin dhe asnjëherë me qytetarin, por ndryshojnë ndonjëherë mendim… kur shfaqet pazari.
Kjo ka bërë që bij apo bija punonjësish të drejtësisë apo ish, janë licensuar si avokat, por sa kanë mbaruar një fakultet drejtësie, nga ata që ka me shumicë në vendin tonë, duke patur si diplomë njohjet e prindërve apo të afërmëve të tyre, e duke mos patur asnjë njohuri mbi funksionin e avokatit dhe rolin e avokatisë në drejtësi.
Në vendet fqinje, këto lloj kllounësh, studio ligjore nuk i punësojnë as për të fotokopjuar dosjet.
Ndaj, incidentet mes qytetarëve dhe avokatëve janë të përditshme, sepse premtimet dhe rrahjet e gjoksit si “gjyqfitues”, nuk janë mbi bazën e provave dhe fakteve, por mbi bazën e njohjes në korridoret e errëta të drejtësisë dhe të ryshfetit dhe mitmarrjes.
Kjo, bën që edhe tarifat të jenë skandaloze, sepse futen shumë aktor dhe askund nuk ka çmime që të bllokojnë këtë treg informal, siç është avokatia, që trajtohet nga tatimet si profesion i lirë.
Nëse një avokat do merrte dyqane, hyrje e prona, siç ka marrë Argita dhe Flutura Kola, e dhjetra sekser të tjerë, që kanë patur studio ligjore dhe lidhje me pushtetin, çƒarë do merrte pronari, po shteti nga 23% i tij… ballkonet apo shkallët e dyqanit?
Si mund të pretendosh pa tu dridhur qerpiku, se paske fituar një çështje me gjykatat në shkelje të ligjit, si me çfarë… për sytë e bukura, apo për gishtat që numërojnë bukur?!
Sepse, nëse e drejta ka qenë me klientin, avokati nuk ka fituar asgjë, por ka publikuar thjesht provat e çështjes… ato që dispononin pronarët, sepse nëse këto nuk kanë ekzistuar dhe gjyqi është fituar, lind dyshimi i arsyeshëm se dikush është paguar, pra është konsumuar një vepër e rëndë penale në grup.
Ndaj, stop avokatëve sekser, që reforma i ka harruar! Shumë shpejt, diçka duhet të bëjnë ligjbërësit për ta pastruar këtë llum, nga drejtësia lehonë shqiptare./Ekskluzive.al