Unë kam dyshime të forta se ish-kryeprokurori mund të ketë ka pastruar para, pasi ka blerë tokë me çmim shumë të lirë dhe e ka shitur me çmim shumë më të lartë, me këto para ka blerë sërish tokë shumë lirë.
Adriatik Doçi
Ka një keqkuptim të madh në indinjatën që ka prodhuar ‘shpëtimi’ i Adriatik Llallës nga laku i trefishtë i Vetingut. Qëllimi fundor i Vetingut është të përjashtojë nga drejtësia një prokuror apo gjyqtar që nuk justifikon pasurinë, ka kontakte me krimin apo është i paaftë profesionalisht.
Vetingu nuk sekuestron pasurinë e dyshimtë. Nuk të ndjek penalisht. Provat e mbledhura gjatë hetimit nuk mund të përdoren në një proces penal. Vetingu nuk ka asnjë fuqi tjetër, përpos që të vendosë të të përjashtojë nga sistemi apo të të konfirmojë si pjesë e sistemit të ri.
Në rastin konkret, Adriatik Llalla, në momentin e largimit nga drejtësia, e ka konsumuar automatikisht procesin e Vetingut. Duke u larguar nga drejtësia pikërisht për shkak të Vetingut, Adriatik Llalla ka rënë në rrjetën e Vetingut. Në këto rrethana, të merrej nën kontroll ish-kryeprokurori është njësoj si të marrësh në provim një student që e ka lënë shkollën. Ndërkaq, janë organe të tjera ato të cilat do të vendosin nëse pasurie e Adriatik Llallës është e ligjshme apo e paligjshme.
Unë kam dyshime të forta se ish-kryeprokurori mund të ketë ka pastruar para, pasi ka blerë tokë me çmim shumë të lirë dhe e ka shitur me çmim shumë më të lartë, me këto para ka blerë sërish tokë shumë lirë. Por një dyshim i tillë nuk mund të konfirmohet kurrsesi nga Vetingu, i cili ka një tjetër detyrë të paracaktuar në Kushtetutën e ndryshuar dhe në ligjin e posaçëm.
Ligjshmëria e pasurisë së tij mund të përcaktohet vetëm nga Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat Speciale, përmes zbatimit të ligjit anti-mafia.