Politika shqiptare është mbërthyer ditët e fundit nga debatet sa i takon vetingut në politikë. Opozita doli me një propozim për të futur presidentin, kryeministrin, ministrat dhe deputetët në veting, por për PS kjo është një lëvizje strategjike për të shmangur reformën në drejtësi. Gazeta e deklaroi pak ditë më parë se Basha e Kryemadhi po kërkojnë të dalin kundër SPAK dhe Byrosë së Hetimit, ndërsa sot po tregojmë specifikisht se si organet e reja antikorrupsion garantojnë skanimin e të gjithë politikës.
Nëse shohim ligjin për SPAK dhe Kodin e Procedurës Penale, aty tregohet me detaje se kushdo që ka futur duart në xhepat e shqiptarëve, jo thjesht do largohet nga politika, por do japë llogari para drejtësisë.
Opozita kërkon largim vetëm të personave që kanë lidhje me kontigjentë të botës së krimit. Vetë SPAK do jetë një institucion që mund të hetojë dhe raste të tilla. Nëse ka indicie, denoncime në media, denoncime publike nga partitë se një person ka pasur lidhje me individë të inkriminuar, atëherë të gjithë do kalojnë në skaner. Por PD kundërshton vetingun në pasuri, element i cili rrezikon gati gjysmën e politikanëve.
SPAK dhe Byroja e Hetimit kanë në kompetencë një sërë veprash penale, që do fundosin shumë zyrtarë. SPAK do ketë akses në të dhënat e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në të dhënat e Drejtorisë së Pastrimit të Parave, në të dhënat e ZVRPP, prokurorisë, doganave, etj. Në këtë mënyrë nëse vihet re se një deputet, ministër, kryeministër, apo dikush tjetër ka parregullsi me pasurinë, automatikisht nisin hetimet.
Por ndryshe nga sa pretendon PD, në momentin që nis verifikimi pasuror hyn në lojë dhe ligji antimafia. Sipas tij, do verifikohen dhe familjarët dhe nëse ka parregullsi, përveç se do ketë dënime sipas Kodit Penal, do ketë dhe sekuestrime pasurish. Këtu duket se qëndron dhe strategjia e opozitës. Në draftin e propozuar nga PD theksohet se në rastet kur ILDKP vë re se një zyrtar nuk e justifikon pasurinë, ai largohet. Por me SPAK, nuk ka vetëm largim, por dhe arrestim dhe sekuestrim pasurie. Opozita nuk e do diçka të tillë dhe po del me një skenar më vete.
Por një tjetër detaj që tremb opozitën është se SPAK mund të hetojë dhe ish-ministrat dhe ish-kryeministrat. Dihet që shumë ish-ministra të PD janë akuzuar për afera dhe janë të rrezikuar. Por në vetingun e opozitës nuk përfshihet diçka e tillë./Kliti Topalli