Ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta duket se janë alarmuar nga nisma e PD për veting në politikë. Ndryshe nga viti 2018 kur u propozua veting për lidhjet me krimin, këtë herë fokusi kryesor do të jetë pasuria. PD kërkon që të largohen nga politika të gjithë ata që kanë pasuri 2-fish më të lartë se të ardhurat e tyre.
Nëse shohim listën e politikanëve, emra si Sali Berisha dhe Ilir Meta janë shumë të rrezikuar. Presidenti dhe bashkëshortja e tij kanë shitur mbi 10 apartamente, kanë vilë në Gjirin e Lalëzit dhe dy banesa në Tiranë. Ndërkohë sa i takon Berishës, familja e tij ka mjaft pasuri, ndërsa DASH e akuzon se përdori pushtetin për pasuri.
Elementi tjetër është se propozimi i PD erdhi pas takimit me senatorët amerikanë duke dhënë sinjale se mund të ketë marrë bekimin tyre. Për këto arsye ditën e djeshme kanë nisur sulmet dhe akuzat ndaj draftit të propozuar nga Basha. Më të alarmuar kanë qenë besnikët e ish-kryeministrit.
I pari që reagoi ishte dhëndri i tij. “Rama e përdhunon e detyron të votojë Ballukun, PENGU nxjerr 3 pika dhe ndihet i qetë. Tani e tall tualeti”, ka shkruar në rrjete sociale Jamarbër Malltezi. Kritik ka qenë edhe Edi Paloka, i cili është rreshtuar krah Berishës. “Grupi Parlamentar i PD propozon që Vetingun e politikanëve ta bëjë SPAK?!?! Cili SPAK, ai që mban e mbyll dosjet e korrupsionit të qeveritarëve çdo ditë ?!!!”, ka shkruar ai. Edhe Oerd Bylykbashi ka dalë kundër:
“I kontestova amendamentet që diskutuam sot. Të dy palët, hedhin në treg reforma që kanë shkaktuar debat”. Ndërkohë mediat pranë ish-kryeministrit janë hedhur të gjitha në sulm ndaj kësaj nisme duke aluduar madje se kjo bëhet për të larguar Berishën nga politika. Ndërkohë të shqetësuar duket se janë dhe në kampin e presidentit. Petrit Vasili edhe në rrjete sociale dhe në media ka dalë kundër. “SPAK nuk ekziston por është vendosur në krahun e kapjes së shtetit.
Afera e teatrit nuk lëviz asgjë. Çështja e Becchettit ulërin. Çështja e Astirit nuk kurseu as SHBA. Nuk po flas për krimin zgjedhor apo si u fsheh informacioni për vrasjen e Klodian Rashës apo për vrasjen që ndodhi në Elbasan para zgjedhjeve. Pyetja e madhe është, cila është efiçenca. SPAK nuk është as ¼ e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që lamë pas. Nuk e kemi diskutuar me PD. Nuk kemi pasur as komunikim as diskutim”, tha ai.