Pasi ka dështuar protesta e dyshes më qesharake të parlamentit shqiptar Gjuzi – Jenisheri, të cilës i mbaroi mandati me zgjedhjet e 25 prillit, tani ka mbetur vetëm një mundësi për ta anulluar koncertin e këngëtarit të famshëm serbo-boshnjak Goran Bregoviç në Korçë, planifikuar në kuadër të Festës së Birrës.
Kjo mundësi e ka emrin Tit Vasili.
Po, po, mos u çudisni, vetëm “ylli” i LSI-së, Tit Vasili i Monikës mund t’ia prishë koncertin Goran Bregoviçit.
Vetëm duhet që deputeti më i votuar i parlamentit që do të nisë punën në shtator, të shkojë atë natē në Korçë dhe në të njejtën orë të organizojë edhe ai një takim, ku patjetër duhet të mbajë edhe një fjalim.
Të jeni të sigurtë që mijëra qytetarët e pranishëm do ikin nga koncerti i Bregoviçit e do shkojnë të ndjekin Tit Vasilin në fjalimin e tij, pasi oratoria brilante e deputetit më të votuar të LSI-së i magjeps dhe i argëton qytetarët.
Petrit Vasili do të bëjë mirë që të marrë me vete edhe 362 votuesit e tij, sepse kjo do të frymëzonte edhe qytetarët e Korçës dhe shumë të tjerë nga e gjithë Shqipëria për të bërë të mundur dështimin e koncertit të Bregoviçit.
Në këtë mënyrë zgjidhet edhe halli i “patriotëve” të thekur pas patriotizmës që nuk e duan Bregoviçin në Korçë, teksa do të gjejnë si alternativë më të mirë star – simbolin e të rinjve, Petrit Vasilin e LSI-së.
Ndërkaq, Petrit Vasili jo vetëm bën një shërbim të madh patriotik duke ia prishur koncertin Bregoviçit në Korçë, por edhe i dërgon një mesazh paraprak shkollëpakut të qeverisë, që të kuptojë se çfarë e pret me fillimin e punimeve të parlamentit, pasi do të ketë përballë jo një njeri dosido, por më të votuarin e zgjedhjeve të 25 prillit me 362 vota gjithësej (cna)