Komisioni i Venecias do të vendosë sot për fatin e Ilir Metës. Pak ditë më parë në raportin paraprak që i dërgoi Kuvendit, Komisioni i Venecias konstatoi se presidenti Meta tejkaloi kompetencat dhe shkeli Kushtetutën, në momentin kur zhdekretoi 30 qershorin. Ndërkohë që, sot ky komision do të thotë fjalën e fundit për presidentin Meta, pasi do të miratojë rekomandimin përfundimtar për shkarkimin e tij.
Gazeta ka mësuar disa detaje, teksa në seancën plenare të Komisionit mazhoranca do të përfaqësohet nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe disa këshilltarë ligjorë. Ndërkaq, edhe pse ishte zotuar se do të shkonte vetë përpara komisionit, Presidenti i Republikës ka hequr dorë dhe mësohet se ka dërguar vetëm 3 përfaqësues të tij, drejtori i kabinetit, Arben Cici; këshilltari ligjor, Bledar Dervishaj dhe këshilltarja politike, Ilda Zhulali, të cilët do të përballen sot me socialistët në anën tjetër. Sipas informacioneve, mësohet se këshilltarët e presidentit do të paraqesin 10 pyetje shtesë për komisionin, duke kundërshtuar opinionin paraprak të Venecias që e vlerësonte se Meta kishte tejkaluar kompetencat, duke anuluar datën e zgjedhjeve. PS 7 dosje voluminoze në seancë plenare: Por për t’ua bërë më të lehtë dhe për t’i njohur me shkeljet që presidenti Meta ka bërë me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, mazhoranca do të paraqesë disa dosje, në mënyrë që ta bindë Komisionin e Venecias ta shpallë vendimin në këtë mbledhje dhe në favor të saj. Mësohet se kreu i grupit të PS, Taulant Balla, duke qenë se nuk është anëtari i komisionit hetimor që po heton shkeljet e Metës, ka marrë me vete edhe disa dosje voluminoze, prova këto që ndodhen në duart e socialistëve dhe për rrjedhojë do të ndahen edhe me anëtarët e Komisionit të Venecias.
Sipas informacioneve, në këto dosje janë përgjigjet e plota të 7 institucioneve që i kanë kthyer përgjigje komisionit hetimor, duke filluar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme, deri tek ato të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Presidenca, Ministria e Brendshme, Kolegji Zgjedhor, Qendra e Botimeve Zyrtare dhe Autoriteti i Medias Audiovizive. Kështu, mësohet se Balla do të njohë në seancën e sotme plenare komisionerët e Venecias, me impaktin që shkaktoi anulimi i zgjedhjeve vendore nga ana e kreut të shtetit, ku mes shumë përgjigjesh Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit, e kanë vënë theksin se anulimi i zgjedhjeve nga ana e Metës nxiti krime zgjedhore. Po ashtu, mësohet se referuar përgjigjeve të këtyre institucioneve, Balla do të informojë Venecian se pasi Meta anuloi zgjedhjet janë bërë plot 32 kallëzime për 192 autorë, të cilët akuzohen për krime zgjedhore. Pra, të gjitha këto prova të administruara nga mazhoranca dhe që tanimë do të ndahen edhe me Komisionin e Venecias pritet të vulosin shkarkimin e Metës. Pretendimin për djegien e Parlamentit Por përveç 7 dosjeve voluminoze që do të vihen në dispozicion të Komisionit të Venecias nga ana e mazhorancës, mësohet se kreu i grupit të PS, Taulant Balla do të njohë ekspertët edhe në lidhje me pretendimet e presidentit Ilir Meta se anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, pasi kishte marrë informacion se do të digjej Parlamenti gjatë protestës së 8 qershorit të organizuar nga opozita. Momentalisht ky informacion ndodhet në tryezën e komisionit hetimor dhe është sekret. Megjithatë, sipas informacioneve, mësohet se Balla do të përpiqet që të bindë Venecian, duke ia bërë të qartë se informacion në fjalë është i shkurtër dhe nuk përbënte ndonjë rrezik potencial për të anuluar zgjedhjet, sikundër pretendon kreu i shtetit. Pra, mazhoranca do të përdorë këtë strategji kundër Metës, në mënyrë që Komisioni i Venecias në raportin përfundimtar të theksojë se kreu i shtetit nuk kishte kompetencë për të anuluar zgjedhjet. Sidoqoftë, duke qenë se historia ka treguar se Komisioni i Venecias është tejet i balancuar, raporti përfundimtar nuk ka për të ndryshuar shumë nga ai paraprak. Kjo do të thotë se gjasat janë që Venecia të rrëzojë pretendimet e Metës, duke i dhënë të drejtë mazhorancës, e cila do të vijojë e qetë procedurat për ta shkarkuar presidentin nga detyra. /Rigels Seliman