Komisioni i Venecias ka vulosur përfundimisht shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nga detyra. Dje u mbajt seanca plenare, ku u miratua opinioni final për çështjen “Meta”. Mazhoranca në këtë mbledhje u përfaqësua nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndërsa Presidenca “mbrohej” nga drejtori i kabinetit, Arben Cici dhe dy këshilltarë ligjorë.
Por ashtu si gazeta e deklaroi një ditë më parë, raporti përfundimtar nuk ndryshoi nga ai paraprak, ku në të dy rastet shkruhet e zeza mbi të bardhë se Presidenti Ilir Meta shkeli Kushtetutën. Kështu, pak pas përfundimit të seancës plenare të Komisionit të Venecias, Këshilli i Europës shpërndau një deklaratë për mediat, duke informuar mbi qëndrimet e Venecias për Presidentin Meta. Në raport, KiE thekson se Meta veproi përtej kompetencave të tij Kushtetuese, me anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Në këtë kontekst, ekspertët e Venecias theksojnë se Presidenti nuk mund të shtyjë zgjedhjet pa konsensus politik, duke rrëzuar kështu pretendimet e Metës se vendimin e mori në kushtet kur kishte një informacion se do të kishte gjakderdhje.“Sipas raportit të miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Komisioni i Venecias vëren se Presidenti shqiptar nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik. Edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta ose katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhet të miratojë legjislacion ad hoc për të shtyrë zgjedhjet. Në përgjigje të krizës politike në vend dhe një bojkoti zgjedhor nga disa parti të mëdha politike, Presidenti fillimisht anuloi dhe më pas shtyu zgjedhjet lokale. Edhe nëse Kuvendi do të konstatonte se Presidenti tejkaloi kufijtë e tij, Komisioni i Venecias vë në dyshim nëse ky ishte i një karakteri kaq të nevojshëm për të vërtetuar një “shkelje serioze””, thuhet në deklaratë.
Presidenti shkeli Kushtetutën
Më tej, në deklaratën e Këshillit tëEuropës, teksa i referohet raportit të Komisionit të Venecias shprehet qartë se Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta shkeli Kushtetutën dhe se kapërceu kufijtë ligjor me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Por kjo, sipas Venecias, mund të mos përbëjë element për ta shkarkuar. Por pavarësisht kësaj, Venecia shprehet se i takon Kushtetueses të vendosë nëse kemi apo jo shkelje të rëndë. “Edhe nëse Presidenti mund të ketë kapërcyer kufijtë në shtyrjen e zgjedhjeve lokale, shkarkimi mund të mos jetë i justifikuar. Në sfondin e një procedure aktuale të shkarkimit kundër Presidentit shqiptar Ilir Meta, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, ekspertët kushtetues të Këshillit të Evropës të Komisionit të Venecias konkludojnë se ndërsa Presidenti mund të ketë vepruar përtej fuqive të tij kushtetuese, ka indikacione se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që justifikojnë shkarkimin”, thuhet në raport.
Ja strategjia që do përdorë PS për ta shkarkuar
Por, pavarësisht raportit të moderuar të Komisionit të Venecias, i cili në disa raste shprehet me “mund”, duke ngritur dyshimet se anulimi i 30 qershorit nuk mund të konsiderohet një shkelje e rëndë e konsumuar nga Presidenti Ilir Meta, mazhoranca është e vendosur për t’i shkuar deri në fund nismës së saj për ta shkarkuar kreun e shtetit nga detyra. Mësohet se mazhoranca nga raporti përfundimtar, i cili pritet të publikohet javën që vjen, do të marrë për bazë vetëm përgjigjet që Komisioni ka kthyer për 8 pyetjet që Kuvendi kërkoi interpretim nga Venecia. Në të teta pyetjet që Kuvendi i Shqipërisë adresoi tek Komisioni i Venecias, në asnjë rast nuk kërkoi shpjegime nëse Presidenti Ilir Meta duhet shkarkuar apo ka kryer shkelje të rëndë, por kërkoi nga Venecia vetëm të dijë nëse kreu i shtetit kishte të drejtë të shtynte zgjedhjet apo jo. Mirëpo, në të dy raportet Komisioni i Venecias e thotë qartë se Meta tejkaloi kompetencat me anulimin e 30 qershorit, ndërsa sa i takon shkarkimit ose jo, Venecia thotë se e ka në dorë Kuvendi dhe Kushtetuesja. Pikërisht këtë donte të merrte dhe mazhoranca. Në raportin final që do i shkojë seancës plenare parlamentare, fokusi do jetë pikërisht te fakti që Meta ka shkelur Kushtetutën dhe se nuk ka kompetencë të shtyjë zgjedhjet. Për elementë e tjerë dhe nëse ka kryer apo jo shkelje të rëndë, do i lihet në dorë Kushtetueses. Për PS mjafton që ai ka tejkaluar kompetencat. Të hënën raporti vjen në Tiranë dhe menjëherë do nisë puna për të mbyllur sa më shpejt shkarkimin. /Rigels Seliman