Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit duket se po has pengesa. Plani ishte që në fillim të këtij viti ajo të ishte gati, por jo çdo gjë ka shkuar vaj.
Arsyeja është sepse ky organ do të jetë themelor në luftën ndaj korrupsionit në nivel politik dhe hetuesit që do të futen aty duhen individë të aftë dhe që nuk bien lehtë pre e shantazheve. Nga qindra emra që morën pjesë në garë, vetëm 39 kaluan në fazën finale. Tashmë ata po i nënshtrohen verifikimit të pasurisë, figurës dhe anës profesionale.
Ndërkohë mësohet se disa emra kanë ngelur dhe në testin e poligrafit, çka e ul numri e të kualifikuarve. BKH duhet të ketë minimalisht 60 kandidatë, por duke qenë se pjesa dërrmuese nuk i plotëson kushtet, kanë mbetur vetëm 39. Por sipas burimeve, puna për të zgjedhur grupin e parë të hetuesve është drejt fundit.
Mësohet se po punohet fort në prapaskenë që BKH të jetë gati para muajit qershor, pasi në pranverë BE do të vendosë për mbledhjen ndërqeveritare me Shqipërinë. Byroja e Hetimi është kusht vendimtar për negociatat dhe sipas sinjaleve ajo do të jetë gati. Ndërkohë paralelisht me emrat aktualë, po vijon rekrutimi i emrave të tjerë. BKH ka hapur garën para disa javësh dhe mësohet se ka pasur bum aplikimesh.
Sytë e SHBA-BE te BKH
Edhe pse SPAK u ngrit dhe ka dhënë shembuj në luftën kundër krimit e korrupsionit, sytë e ndërkombëtarëve janë te BKH, pasi ky do të jetë organi kyç që do të hetojë pushtetarët. SPAK nuk ka sot një polici të mirëfilltë gjyqësore, ndërsa BKH do jetë një organ krejt tjetër dhe me ngritjen saj pritet që të kemi hetime në nivele shumë të larta. Një paralajmërim ka dhënë pak kohë më parë prokurori shqiptaro amerikan Gjon Junçaj.
“Ajo që ka nisur nga puna është zyra e Prokurorit të Posaçëm. SPAK-u është më shumë se kaq. Ne kemi gjithashtu nevojë për Byronë Kombëtare të Hetimit, krahu hetues i SPAK-ut, si dhe gjykatat e SPAK-ut. Ky është SPAK-u! Nuk është vetëm tetë apo 10 prokurorë, është më shumë se kaq. Mendoj se ky është një hap i parë i rëndësishëm, për të cilin u desh shumë kohë për të arritur deri këtu. Por po aq e rëndësishme mendoj është, nëse pyesni prokurorët në Shtetet e Bashkuara ose në Shqipëri, ata do t’ju thonë se kemi nevojë për këta hetues dhe ky është hapi tjetër që duhet të presim. Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Drejtësisë në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit do të jenë atje për të ndihmuar në këtë proces”, tha Gjon Junçaj.
Trajnimi në SHBA
Sipas marrëveshjes me amerikanët, hetuesit e BKH do të trajnohen nga FBI për të hetuar krimin dhe korrupsionin. Plani është që trajnimi të bëhet në janar, por kjo do të vendoset nga ecuria e përzgjedhjes së emrave dhe situata e koronavirusit. “Më 30 korrik, Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Shqiptar Aida Hajnaj u emërua Drejtuese e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), e sapoformuar.
Ambasada Amerikane lëshoi një deklaratë duke e festuar këtë moment të rëndësishëm në zbatimin e reformës në drejtësi, duke theksuar se ky proces nuk do të ishte i lehtë, i shpejtë apo i përsosur, por se është i nevojshëm dhe duhet të vazhdojë. ICITAP Albania do të kryejë programin e miratuar pesë-ditor të trajnimit të Drejtorit të BKH.
Sapo të zgjidhen, verifikohen dhe punësohen, hetuesit e BKH do t’i nënshtrohen trajnimit në katër faza të ndryshme, nga të cilat Faza 1 (katër javë) është një kurs induksion që do të ofrohet në Shqipëri nga ICITAP dhe Faza 2 (katër javë), e koordinuar nga ICITAP, i cili do të përqendrohet në aftësitë thelbësore të hetimit dhe parashikohet të sigurohet në 2021 në Akademinë e FBI në Quantico, Virxhinia – nëse pandemia e lejon”, thuhet në një deklaratë të Departamenti Amerikan të Drejtësisë të publikuar pak kohë më parë.