Nga Ylli Pata
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, qartësisht nuk kanë dhënë një vendim tipik të kësaj trupe, që të vendoste pikat mbi “i” apo të krijonte një precedent legjislativ.
Por as nuk kanë ndarë se kush e ka gabim e kush e ka mire, në dy palët që shkuan në institucionin që ka për detyrë të interpretojë Kushtetutën e Republikës.
Ai draft të kujton “Humorin Parlamentar” të fillim viteve, ku i ndjeri Roland Trebicka luante rolin e deputetit të Gjinushit gjatë mandatit të parë të Sali Berishës, kur thoshte: “Edhe qëndron, por edhe nuk qëndron akuza e opozitës”.
Një konstitucionalist me emër në vend, i cili edhe ka pasur në lëkurën e tij për vite togën e Kushtetueses, tha me ironi në në komunikim për TemA se “kemi të bëjmë me një precedent të rrezikshem, që u mendua pas ngjarjeve të fundit në lidhje me ngjarjet në Ukrainë”. Natyrisht që ishte ironi, për të mos folur hapur e për t’i rënë ndesh kolegëve, por fjala “precedent i rrezikshëm” është realisht shumë, për të parë në optikën e atij vendimi që nuk është zbardhur ende.
“Nuk ka shkelur rëndë Kushtetutën”, ka thënë Gjykata në vendimin e saj për Ilir Metën. Po kush quhet “shkelje e rëndë e Kushtetutës”, sipas institucionit që duhet ta interpretojë atë?
Në ligjin themeltar të shtetit, nuk përcaktohet as shkurt e as gjatë, se çfarë përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës. Që do të thotë se ligjvënësi ja ka lënë Gjykatës Kushtetuese ta përcaktojë këtë, kur i vjen një rast i tillë, që natyrisht është i rrallë.
E kjo trupë aktuale e Gjykatës Kushtetuese, nuk ka marrë përsipër ta bëjnë këtë gjë, por e kanë lënë vendimin si një “larje duarsh” dhe e kanë hedhur në shesh. E ku palët flasin si të duan.
Parardhësit e kësaj trupe, dikur kanë marrë vendime të nivelit të lartë, natyrisht jo për Presidentin, pasi s’do të kishte nevojë për vendim, por për Kryeprokurorin e Republikës, që dikur ishte një institucion shumë i lartë.
Në dy vendime Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Parlamentin, kur ky i fundit i ka ndërprerë në mes mandatin Prokurorit të Përgjithshëm.
Konkretisht; rrëzoi edhe vendimin për shkarkimin e Arben Rakpit nga aleanca Meta-Berisha, por edhe shkarkimin e Theodhori Sollakut nga Sali Berisha dhe Bamir Topi. Por të dyja këto vendime të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ishin të forta, nuk se patën pasoja. Nuk u zbatuan. Përveçse Rakipi e Sollaku morën lekët e rrogës së lartë kokërr më kokërr.
Siç ndodh me punonjësit e administratës që shkarkohen, e më pas marrin rrogat, njësoj si zëvendësuesit e tyre. E kjo është një kujë e madhe që asnjëherë nuk e ka trajtuar Gjykata Kushtetuese.
Precedentë të qartë që natyrisht kanë shërbyer për të dhënë mesazhin për pasardhësit, se edhe sikur ta vendosë Gjykata Kushtetuese, nuk e zbaton kush. Megjithatë, këta anëtarë të rinj, u zgjodhën për të vënë një precedent të ri, të cilin nuk e bënë, me logjikën se kanë kohë, e do ta bëjnë rrugës.
Megjithatë, vendimi i Kushtetueses ka hapur një precedent të rrezikshëm, ku është rrëzuar e damkosur institucioni i Kreut të Shtetit.
I cili, për ta shpëtuar, duhet të ridimensionohet; ose duke përcaktuar qartësisht në Kushtetutë se kush përbën shkelje e rëndë e ligjit themeltar, kornizat kushtetuese të institucionit, si dhe një ligj organik i Presidentit të Republikës. Ose një President që zgjidhet direkt nga populli, siç ndodh në Slloveni, Mal të Zi, Serbi, Maqedoninë e Veriut etj.
Kushtetuesja nuk se ka shpëtuar Ilir Metën, i cili është në ditët e fundit, por ka rrëzuar Presidentin e Republikës. Që duhet të ridimensionuar me se s’bën nga Parlamenti me ndryshime kushtetuese menjëherë, madje përpara se të zgjidhet presidenti i ri. E këtë nismë, mund ta ndërmarrë mazhoranca apo edhe opozita. Është urgjente si imperativ.
Ndërkaq, vendimi i Kushtetueses për Metën, ka pasur pasoja të çuditshme e madje frojdjane në mjedisin politik të asaj që sot quhet “Shtëpia e Lirisë”.
E kjo ka ardhur sidomos pas qëndrimit të ambasadës amerikane, i cili ka qenë mjaft lakonik. Pas këtij qëndrimi, duhet thënë ka pushuar entuziazmi nga krahu i Berishës për vendimin e Kushtetueses. Madje mbështetës mediatikë të tij, po e quajnë si një “manovër të Edi Ramës dhe Yuri Kim për të legjetimuar pasojat e reformës në drejtësi”. Pra ka nisur një ushqim i paranojës se “tani drejtësia e ka rrugën e lirë”.
Pra me zemër, edhe Berisha, por tamam tamam edhe Meta, ka pritur një vendim shkarkimi, për tu viktimizuar, por edhe nëse shkarkohej, realisht pasojat do të ishin jo të vogla.
Që nga mëngjesi, nuk kemi parë një gëzim i fortë i Metës pasi shpëtoi nga shkarkimi.Artan Fuga, i cili tashmë është një përkrahës i hapur i Metës, e ka me Bashën. “Si është e mundur që ish PD nuk pati guximin, nderin, turpin, që së paku për dekretin që anullonte zgjedhjet ku ajo nuk futej ta mbronte Presidentin, jo Ilir Metën, qoftë edhe me një fjalë!”.
Qëndrime që dukshëm po perceptojnë vendimin e mbrëmshëm si një lloj “mëshire juridike” meqë ka arritur “moshën”, por inatin e kanë me ligjërimin e 30 qershorit.
Pra fishekzjarre, shampanjë, e raki pa hesap, me një llaf festa të shfrenuara nuk se janë parashikuar. Siç duket se nuk ka as kohë e as vakt për zijafete…