Qeveria shqiptare është e vendosur për të mbështetur ushtarakët me mjete financiare. Çështja e strehimit të ushtarakëve dhe dietat kanë qenë gjithmonë mollë sherri, pasi të shumtë kanë qenë zërat se përkujdesja e shtetit në lidhje me këtë problem ka qenë e vakët. Por së fundmi Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim për kriteret dhe masën e kompensimit të qirasë së banesës dhe të ushqimit të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Kështu në, vendimin e siguruar nga gazeta thuhet se një ushtarak që shkon të ushtrojë detyrën larg vendbanimit të tij përfiton kompensimin e qerasë për një periudhë tre vjeçare. “Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura që, për shkak të detyrës, emërohet ose transferohet larg vendbanimit dhe nuk është trajtuar me banesë ose me kredi nga Ministria e Mbrojtjes dhe kur ai ose ndonjë pjesëtar i familjes nuk ka banesë në pronësi në vendin e punës, përfiton kompensim për qira banese deri në 3 (tre) vjet”, thuhen në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Më tej, në vendimin e saj qeveria thekson se edhe kategoritë e shtëpive që do të mbulojë shpenzimet për ushtarakët. “Masa e kompensimit të qirasë së banesës të jetë: a) 70 për qind të çmimit mesatar mujor të tregut, për qira banese, të tipit garsoniere, kur është beqar ose i martuar dhe pa fëmijë; b) 70 për qind të çmimit mesatar mujor të tregut, për qira banese, të tipit 1+1, kur është i martuar dhe ka një fëmijë; c) 80 për qind të çmimit mesatar mujor të tregut, për qira banese, të tipit 2+1, kur është i martuar dhe ka më shumë se një fëmijë”, thuhet në vendim.
Ndërkohë, qeveria shqiptare në vendimin e saj thekson se për çmimin e qerasë vendos Ministria e Mbrojtjes.
“Çmimi mesatar i qirasë së banesës përcaktohet çdo vit, me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe të ministrit të Mbrojtjes. Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura, që përfiton kompensim për qira banese, duhet të paraqesë pranë strukturës ushtarake përkatëse këto dokumente: a) Kërkesën për kompensimin e qirasë së banesës; b) Certifikatën personale, nëse nuk gjenerohet nga vetë struktura ushtarake; c) Certifikatën familjare, nëse nuk gjenerohet nga vetë struktura ushtarake; ç) Kontratën e qirasë së banesës, të noterizuar; d) Vërtetimin përkatës se nuk është trajtuar me banesë apo me kredi nga Ministria e Mbrojtjes; dh) Vërtetimin përkatës se ai/ajo ose pjesëtarët e familjes nuk kanë banesë në pronësi”, thuhet në vendimin e qeverisë.