Ka 24 orë që turfullojnë në rrjet e media njerëz pranë Berishës apo edhe pjesë e stafit të Belind Këlliçit, për vendimin e Lulzim Bashës për të zhvilluar zgjedhje për kreun e FRPD apo edhe atë të Forumit të Gruas.
Ajo çfarë bie në sy, në këto aksione të Lulzim Bashës mund të thuhet pa hezitim se kreu i PD-së, ka nisur realisht të ketë në kontroll total partinë e tij, të cilën nuk e ka pasur kur atje ishte Sali Berisha.
Mund të thuhet pa hezitim, që Lulzim Basha, keq apo mirë, tani po merr nën kontroll të plotë partinë që e ka drejtuar prej vitit 2015.
Për çështjen e Forumit të Rinisë të PD-së edhe atë të gruas, hapja e zgjedhjeve të këtyre strutkurave, jo vetëm është në kompetencën e kryetarit, por është edhe një process që i kishte ardhur koha prej kohësh.
Në vitin 2015 janë bërë zgjedhjet për kreun e FRPD-së, pas një urdhri të Lulzim Bashës që procesi të bëhet sipas parimit një anëtar një votë.
Në process atëherë kandiduan Ervin Saljanji dhe Belind Këlliçi. Ky i fundit, dukshëm i mbështetur nga Sali Berisha dhe njerëzit e tij në strukturat e Partisë Demokratike.
Në fund të procesit, fitoi Këlliçi, i cili, pikërisht nga ky proces mori edhe fuqi më shumë, e ku u mbështet nga Basha, i cili e vuri kandidat në Tiranë, në numrat e parë të listës së qarkut, ku dhe fitoi e u zgjodh deputet.
Po të shikosh udhëzimin e Lulzim Bashës për zgjedhjen e strukturave të FRPD në vitin 2015 edhe sot, shikojnë se është e njëjta procedurë.
Në 2015-n, u ngrit një grup pune për të ndjekur zgjedhjet i përbërë nga Gerti Bogdani, Keltis Kruja, Laura Vorpsi, Endri hasa, Valbona Mezini dhe Lulzim Omur.
Ndërkaq, para dy ditësh u ngrit një grup pune që përbëhet nga Oriela Nebiaj, Hergert Alimerko, Dario Sejdini, Enkelejda Rica, Juela Hamati dhe Anita Doçi.
FRPD apo strukturat moshore partiake janë të varura nga mosha e drejtuesve të tyre, që duhet të rifreskohen, pasi nuk mund të rrijnë edhe ata që kanë kaluar cakun e duhur. Në çdo forum rinie,në vitet e para pas 1990 mosha 30 vjeç ishte kufiri për qeniën në këto organizata të drejtuesve të tyre.
Pikërisht se njerëzit nuk lëviznin u bë mosha 25 vjeç si kufi. Në fillimin e viteve 90, anektoda që përdorej Në Forumin e Rinisë Eurosocialiste e përdorur me shaka nga Monika Kryemadhi, atëherë drejtuese e FRESSH-it u bë virale.
Anektoda ishte e tillë: kur e pyesnin Monikën sa është mosha kufi për të qenë në FRESH, ajo përgjigjej me shaka: “sa të jetë mosha e Ndre Legisit”, ngaqë në atë kohë Legisi, ishte me moshën më të madhe ndër drejtuesit e eurosocialistëve.
Në këtë rast, nëse përkrahësit e Berishës, ku natyrisht është edhe Belind Këlliçit e akuzojnë Bashën që nuk lë PD-në të votojë lirisht, duke kërkuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, ata po e akuzojnë kreun e PD-së që ka hapur një proces votimi krejt normal në parti.
Ndërkaq, edhe për Forumin e Gruas, Albana Vokshi, është në krye të këtij organizmi partiak që në vitin 2011, i vendosur nga Sali Berisha, kur ishte kryetar i PD-së.
Realisht, duhet thënë se këto dy akte të fundit të Bashës, janë vendime për të rivendosur kontrollin e drejtimin e tij de fakto në PD, pas një periudhë kur fuqia e tij ishte e limituar…