Krahas menaxhimit të emergjencave civile dhe transportit publik, edhe menaxhimi i ujërave të zeza është një nga fushat e bashkëpunimit mes qeverisë japoneze dhe Bashkisë së Tiranës. Në vijim të vizitës së tij në Japoni, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim edhe me kreun e Agjencisë Japoneze të Zhvillimit (JICA) Shinichi Kitaoka, nga i cili mori garancinë për financimin e projektit për kanalet e ujërave të zeza dhe sistemin e filtrimit të tyre.
“Agjencia Japoneze e Zhvillimit do të vazhdojë me financimin e projektit për kanalet e ujërave të zeza dhe sistemin e filtrimit të ujërave të zeza në Tiranë. Kemi pasur disa probleme me ish-administratën e Ministrisë së Transporteve, të cilat janë në rrugën e zgjidhjes, dhe për gjithë qytetarët e Tiranës lajmi i mirë është se projekti do të vazhdojë dhe investimi i nisur përgjatë rrugës së Kombinatit në njërën nga brigjet e Lanës, që mbulon ujërat e zeza për gjysmën e qytetit, do të përfundojë”, tha Veliaj. Ai siguroi se Bashkia e Tiranës, bashkë me Ministrinë e Transporteve dhe atë të Financave, do të punojnë me shpejtësi për të rikuperuar kohën e humbur për një investim jetik për Tiranën, si pasojë e burokracive të administratës së kaluar
Ndërkaq, Veliaj u takua edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, Taro Kono, me të cilin bisedoi rreth shtimit të marrëdhënieve dhe zbatimit të një sërë projektesh konkrete në fusha të ndryshme. Veliaj dhe Kono vlerësuan nivelin e lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shumë shpejt pritet edhe heqja e vizave për qytetarët shqiptarë. “Më në fund kemi një Ambasadë si në Shqipëri, ashtu edhe në Japoni, do të thotë se marrëdhëniet e vendeve janë në një nivel akoma më të lartë. Një nga kërkesat tona ka qenë edhe heqja e vizave për qytetarët shqiptarë, e cila po vlerësohet, sepse besoj se shkëmbimi mes njerëzve është po aq i rëndësishëm sa shkëmbimet e politikës, e shteteve, e burokracive apo edhe shkëmbimet ekonomike”, tha ai.
Një tjetër lajm i mirë është dhe ai për përgatitjen e ekipit shqiptar që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike 2020. Kryebashkiaku siguroi sportistët elitarë të ekipit shqiptar se do të kenë mundësi që të trajnohen dhe të përgatiten dy muaj para lojërave në Japoni, me qëllim arritjen e rezultateve të larta.
“Jam shumë i lumtur që jo vetëm lojtarët dhe disa nga sportistët më të mirë elitarë të Tiranës do të jenë prezent, por jemi thuajse gati për të përgatitur një ardhje të parakohshme të tyre për Lojërat Olimpike, që të kenë disa javë përgatitore përpara se të garojnë. Ky është një lajm shumë i mirë për gjithë sportistët e Tiranës, që janë pjesa më e madhe e skuadrës. Dua t’i garantoj të gjithë sportistët tanë elitarë, sidomos ata të atletikës apo peshëngritjes, që janë fushat ku pretendojmë medalje, se do të mirëpriten
në Japoni falë stafit të mrekullueshëm të ambasadës, por edhe miqve japonezë që do të sigurohen që dy muaj në advancë ata të kenë mundësi të trajnohen edhe të përgatiten për sukses në garat e lojërave olimpike”, nënvizoi Veliaj.
Ambasadori i RSH-së në Japoni, Gjergj Teneqexhiu, i cilësoi pozitive marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shprehu bindjen se ky shtim i bashkëpunimit do të pasohet shumë shpejt edhe me prezencën e kompanive të fuqishme japoneze në vendin tonë. “Duket që ka një zhvillim shumë pozitiv midis dy vendeve tona. Këtë e tregon vizita e ministrit të Jashtëm në qershor dhe vizita e z. Veliaj në Tokio, i ftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe qeveria japoneze. Duket se po merr një spunto të re midis Japonisë dhe Shqipërisë dhe shpresoj që kjo do të pasohet shumë shpejt edhe me prezencën e kompanive të fuqishme japoneze në vendin tonë”, deklaroi ambasadori Teneqexhiu.
Pjesë e vizitës në Japoni ishte edhe një takim i ngrohtë me shtetasit shqiptarë, që studiojnë dhe punojnë në Japoni, tregues ky i marrëdhënieve të mira mes vendeve dhe i intensifikimit të shkëmbimit jo vetëm ekonomik, por edhe kulturor.