Sot, nxënësit e shkollave të Tiranës kanë marrë edhe një letër frymezuese e me këshilla nga kryebashkiaku Erion Veliaj, përmes së cilës ai u uron suksese për vitin e shkollor.
Në fjalët e shkruara plot emocion per nxënësit, Veliaj thote se çdo vit i ri është një mundësi për t’i treguar vetes, familjarëve e miqve se me dëshirë e vullnet mund të kalojë çdo sfidë.
“Urime për vitin e ri shkollor, ty dhe 70,000 shokëve e shoqeve, të cilët sot kanë nisur ditën e parë të shkollës në Tiranë. E mbaj mend shumë mirë emocionin e ditës së parë të shkollës, padurimin dhe gëzimin. Çdo vit i ri është një mundësi për t’i treguar vetes, familjarëve e miqve se me dëshirë e vullnet mund të kaloni çdo sfidë.
Por, mos harroni asnjëherë se edukimi i zemrës është po aq i rëndësishëm sa edhe mprehtësimi i mendjes. Ndaj, çdo sfidë e arritje ndajeni me shokët, mësuesit e familjarët. Në skuadër çdo sfidë zgjidhet më lehtë dhe çdo fitore është më e bukur”, shkruan Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës nënvizon se shumë nxënës kanë fatin që këtë vit ta nisin ditën e parë në mjedise krejtësisht të reja, ndërsa jep lajmin e mirë se shumë shpejt Tiranës do t’i shtohen edhe 17 shkolla të reja, duke sjellë kushte më të mira e të përshtatshme për edukimin e tyre.
Në mesazhin drejtuar nxënësve të kryeqytetit, Veliaj i inkurajon ata që pas mësimit të marrin pjesë në aktivitetet e organizuara në hapësirat e shkollave që shërbejnë edhe si qendra komunitare, apo në aktivitetet e shumta kulturore dhe sportive që organizohen në qytet.