Erion Veliaj ka ironizuar vendimin e presidentit Meta për datën e zgjedhjeve.
Duke folur nga Farka gjatë prezantimit të programit për katër vitet e ardhshme, Veliaj tha se Luli ka treguar se nuk është i aftë dhe nuk bëhet më.
“Ne të vazhdojmë punën, rrugën dhe drejtimin e duhur për Tiranën tonë.
Jam entuziast se shumica e popullit shqiptar nuk shkuan pas një guri që hodhi njëri në lumë.
Sot nuk ka asnjë pengesë pse qytetarët të mos zgjedhin politikanët e duhur. Presidenti e provoi që t’i japë Lulit një dorë.
Po Lulit jepi ça të duash nuk bëhet më. E kishte Tiranën në dorë 4 vite. Lulin po mundohen ta mbajnë me shiringa me pilula, po nuk bëhet më.
Këtu në Farkë s’kishte autobus të vinte këtu, nuk kishte një kopsht, një çerdhe.
E menaxhonte Loni këtu. Duket sikur ka qenë para 100 viteve, por ka qenë para pak. Sot i kemi thënë lamtumirë dekreteve, lamtumirë atyre që na bllokojnë”, tha Veliaj.
Kandidati i së majtës u shpreh se ky qëndrim i Metës vjen direkt pas reagimit të fortë që mbajti SHBA pro zhvillimit të zgjedhjeve në datë 30 qershor.
“Dekreti nuk ndodhi në dhjetor, para se të caktohej data e zgjedhjeve, por ndodhi dje. Dekreti ndodhi dje sepse Amerika tha do jemi në Shqipëri në 30 qershor që qytetarët të votojnë të lirë. Ja pse ndodhi.
Një herë në 4 vjet, do merret më i miri në punë. Jo kur të dojë qejfi ty. Kjo nuk është në dorë të politikanëve, është populli që i zgjedh”, theksoi Veliaj.
Veliaj: Amerika ua hoqi vizat; Mediu dhe Bodgani udhëtojnë në business class për varfërinë
Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj e ka konsideruar absurd vendimin e kreut të shtetit për të anuluar datën e zgjedhjeve. Sipas tij, ky vendim shkon në kundërshtim me qëndrimin që mbajtën SHBA-të një ditë më parë.
“Kjo që ndodhi, nuk e kanë me ne, se ne ua kemi dhënë rezultatin, i rrahëm në 2013-tën, i mundëm në 2015-tën, disfatë për ta në 2017-tën, rezultat spektakolar do të jetë 30 Qershori i 2019-tës. Por, kur e kanë inatin me Amerikën, çfarë do presim tani? Ndonjë dekret që t’i hapim luftë Amerikës? Se budallallëku mund të mos ketë fund. Më Shqipëri themi: “Hapi rrugë budallait”. Pyetja ime është pse? Pse duhet me i hap rrugë budallait? Cili komb ka ecur përpara se i ka hapur rrugë budallenjve? Cila shoqëri ka përparuar se i hap rrugë budallenjve? Cili shtet, cili qytet është bërë përsëmbari se i hap rrugë budallenjve?”, tha Veliaj.
Madje, ai tha se SHBA-të i kanë hequr vizën Sali Berishës dhe Petrit Vasilit, pikërisht për t’i përcjellë mesazhin krerëve të opozitës që të kenë kujdes dhe të mos prekin institucionet demokratike dhe zgjedhjet.
“Amerika ia ka hequr vizën Saliut dhe Petrit Vasilit, e morën vesh të gjithë, dhe sigurisht ia kanë hequr vizën numrave 2, që të zënë mend numrat 1 të partisë, duke i dhënë edhe atyre një shans të fundit. Por që dy pleq të marrë i kanë marrë zvarrë partitë e tyre, kjo dihej”, u shpreh Veliaj.
Duke u ndalur te protesta e opozitës, ai theksoi se ajo bëhet për interesa të një grushti njerëzish, që duan pushtet dhe se ata që mbushin bulevardin për të goditur kryeministrinë nuk kanë asnjë problem ekonomik apo se vuajnë varfërinë. Ai solli në vëmendje faktin se pikërisht ditën e protestës, parkingjet publike nëntokësore dhe ato nëpër rrugët e Tiranës mbushen me makina të shtrenjta të atyre që vijnë për të protestuar dhe shkatërruar Tiranën.
“Këta që kishin ardhur për protestë, të gjithë drejtorët e Bashkive të tyre, e kishin mbushur parkingun e sheshit Skënderbej si autosallon, si ekspozitor makinash më të shtrenjta të republikës. S’íshte mbushur ndonjëherë parkingu i sheshit Skënderbej plot. Këta flasin për varfëri dhe vijnë në protestë me Maserati. Flasin për varfëri dhe vijnë në protestë me Lamborghini. Këta flasin për varfëri dhe vijnë në protestë me Mybach. Këta flasin për varfëri dhe kur ai thotë ndizni smartphone-t janë të gjithë me iPhone 8 dhe me Samsung Galaxy. Me kë tallen këta? Me këto dekrete, e me këto sekrete, e me këto çudira? E sigurt që me popullin nuk tallen dot më. Populli e ka ndarë mendjen dhe ne do të vazhdojmë rrugën tonë”, theksoi Veliaj.
Gjithashtu, ai solli në vëmendje se drejtuesit e opozitës përpiqen të mashtrojnë popullin se betejën e bëjnë në emër të tyre dhe për varfërinë, ndërkohë që vet jetojnë në luks.
“Sot pashë Fatmir Mediun dhe Gerd Bogdanin, në business class për varfërinë. Ka parë njeri opozitë të tillë? Po këta po të donin varfërinë, s’ka nevojë të protestojnë. Hajde në Këshill Bashkiak voto pagesën për ndihmën ekonomike”, tha Veliaj.