Bulevardi “Zogu I” do të transformohet tërësisht. I gjithë segmenti nga ish-Stacioni i Trenit deri tek Sheshi “Skënderbej” pritet të ndryshojë falë investimit më të ri të Bashkisë së Tiranës, i cili krahas rrugës së re, parashikon edhe rehabilitim të fasadave, zgjerim trotuari, sheshe pushimi, stola, shatërvanë, vendqëndrime biçikletash, etj.
Pas inspektimit të punimeve, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Bulevardi “Zogu I” do të kthehet në një nga destinacionet më tërheqëse në qytet. “Jam shumë i lumtur që kemi hapur një kantier në zemër të Tiranës, një kantier i cili lidh dy objekte unike dhe ikona të qytetit tonë, sheshin e ri “Skënderbej” me Bulevardin e Ri. Bulevardi “Zogu I” kishte mbetur si një tokë e askujt, mes këtyre dy objekteve ikonë. Më në fund do të kemi të njëjtën cilësi, si në Bulevardin e Ri, ashtu edhe në sheshin “Skënderbej”, ashtu edhe në Bulevardin “Zogu I”, i cili besoj do të kthehet në një nga destinacionet më atraktive të qytetit tonë”, tha Veliaj.
I gjithë bulevardi është konceptuar si një destinacion komercial, ndërkohë që përfitues është komuniteti në të dy anët e këtij bulevardi. “Është konceptuar si një destinacion komercial, rrugë shopingu, një rrugë tregtare ku do të gëlojnë lokalet, dyqanet, minisheshet në secilën prej minihapësirave që do të hapen mes pallateve, dhe sigurisht lajmi i mirë për banorët është se u ka rënë lotaria. Pra, do të fitojnë nga Bashkia e Tiranës prej këtij investimi riveshjen e pallateve, duke filluar nga suvaja, në disa vende çatia, në disa vende lulishtet përpara pallateve, boja, unifikim jo vetëm i fasadave në vertikalitet, por edhe në sensin horizontal”, tha Veliaj, teksa nënvizoi se nga ky investim do të rrisë edhe vlerën e pronës së qytetarëve. “Mezi pres të shoh edhe këtu se si do të rritet vlera e pronës dhe se si do të rritet shpeshtësia e shitjeve dhe e blerjeve në këtë komunitet falë këtij investimi. Kush ka një investim për të bërë ky është momenti për ta kthyer Bulevardin “Zogu I” në një prej atraksioneve si Pazari i Ri dhe Kalaja e Tiranës”, tha ai.
Krahas zgjerimit, trotuaret do të shtrohen me të njëjtin material me rrugën, me asfalt me gurë të bardhë, i konceptuar si një hapësirë unike, dhe si një shesh i madh, vazhdim i Sheshit “Skënderbej”. “Duke qene se trotuaret janë një hapësirë demokratike, zgjerimi i tyre aty ku lejohet për t’i çuar makinat nëntokë te “Bulevardi i Ri” ose te Sheshi “Skënderbej” është diçka që e kemi me prioritet. Do t’i japim një hapësirë të jashtëzakonshme këmbësorëve dhe besoj për të gjitha piacat që do të krijohen, duke filluar nga cepi i vogël që është pranë fotograf Rrelit, deri te xhepi tjetër që është konceptuar si një fshat tipik shqiptar apo në fund fare, hapësira akademike mes Universitetit dhe Maternitetit, do të jenë 3 sheshe gjithashtu ikonë për qytetin tonë”, deklaroi Veliaj.
Por një nga risitë e këtij projekti është edhe ndërtimi i galerisë nëntokësore, ku në të ardhmen në rast defekti, nuk do të jetë më e nevojshme hapja e rrugës, por gjithçka do
të riparohet nga teknikët në kohë rekord. “Do të kemi disa ndërhyrje, kryesorja ka të bëjë me ndërtimin e një galerie. Ashtu siç kemi galeri poshtë Sheshit “Skënderbej” dhe “Bulevardin e Ri”, për të gjitha utilitetet, kryesisht energjetike, një galeri e ngjashme do të jetë dhe në Bulevardin “Zogu I”, që në të ardhmen të mos i shqepim rrugët sa herë të ketë një defekt, por mjafton të futesh në galeri dhe pastaj defektet mund të riparohen nga teknikët. Mezi pres që ta thyejmë rekordin. Kemi 1 vit e gjysmë për punimet, por besoj që brenda një viti do të përfundojmë totalisht atë që do të jetë ndoshta një nga investimet më të bukura të mandatit të dytë të Bashkisë së Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku.
Përfitues direkt nga ky investim është edhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Veliaj siguroi se Fakulteti i Shkencave të Natyrës jo vetëm që nuk e ka humbur Kopshtin Botanik, por falë Bashkisë së Tiranës, tashmë do të ketë edhe një hapësirë cilësore në Bulevardin “Zogu I”.
“Shkencat e Natyrës” jo vetëm që nuk e kanë humbur Kopshtin Botanik, pasi falë Bashkisë së Tiranës aty do të investohet dhe nuk do të jetë diçka që ruhet me ferra dhe me roje, por do të jetë diçka që fakulteti do ta përfitojë. Por kësaj here fakultetit po ia sjellim investimin te dera e shtëpisë, ku besoj që për të gjithë ata studentë dhe për të gjithë atë komunitet që midis Maternitetit dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës, frekuenton atë zonë, do të kemi një hapësirë cilësore”, nënvizoi ai.
Projekti i bulevardit ‘Zogu I’ përben jo vetëm një bulevard, por është konceptuar si një miks hapësirash publike e që nuk do të shfrytëzohet vetëm si një rrugë kalimi apo një shëtitore, por dhe si një grumbuj parqesh për qëndrim dhe pushim.
Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on LinkedIn
Foto 5 nga 6