Gjykata e Tiranës ka dënuar për shpifje ish-deputeten e PD, Albana Vokshi. Sipas vendimit të shpallur sot nga Gjykata e Tiranës, Vokshi është dënuar me 1 milion lekë gjobë për akuzën e shpifjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj e kishte paditur Vokshin për shpifje, lidhur me disa deklarata që ish-deputetja demokrate kishte bërë nga selia e PD, në kuadër të disa abuzimeve me tendera, që Vokshi pretendonte se ishin bërë nga ana e Veliajt.
Kryebashkiaku Veliaj ka deklaruar se lekët e dëmshpërblimit për çdo gjyq me deputetët e PD do të shkojnë direkt në “Fondin e Edukimit”, i cili është krijuar për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore.
Pak kohë më parë kryebashkiaku Veliaj fitoi gjyqin edhe ndaj ish-këshilltarit të PD-së, Akil Kraja, i cili u denua për shpifje. Lekët e dëmshpërblimit prej 1 milion lekësh Veliaj i dhuroi për pajisjen me kompjutera të shkollës “Isa Boletini” në Kodër-Kamzë./ATA