Sot shënon 74-vjetori i çlirimit të Tiranës nga okupatorët nazistë. Në ceremoninë e organizuar në qendër të kryeqytetit aty ku ngrihet busti i “Ushtarit të panjohur”, në kujtim të luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare për çlirimin e Tiranës, merrnin pjesë kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, Prefektja e Qarkut të Tiranës, Suzana Jahollari si dhe shumë qytetarë të Tiranës.
Veliaj gjatë fjalës së tij tha se Tirana është i vetmi vend i Europës Lindore që u vetëçlirua nga okupatorët nazistë pa ndihmën e ushtrisë sovjetike dhe ky është një akt heroik.
“Ne sot kemi angazhime të ndryshme nga 74 vite më parë. Ka disa njerëz që e harrojnë historinë, shumë pak kujtohen që Tirana u çlirua pa një ushtri të huaj. Tirana u çlirua falë partizanëve. Kjo na bën krenarë. Megjithatë ka momente për reflektuar”, tha Veliaj.
Duke sjellë në vëmendje ngjarjen e dy ditëve më parë, të protestës së dhunshme para Bashkisë Tiranë, nga banorë, banesat e të cilëve preken nga ndërtimi i “Unazës së Madhe të Tiranës”, kryebashkiaku u bëri apel qytetarëve që të mos lejojnë përçarjen nga politika, ndërsa shtoi se opozita po bojkoton parlamentin për të sabotuar hapjen e negociatave me BE-në.
“Pardje u dogjën goma para bashkisë pas 74 viteve, jo nga pushtuesit apo zaptuesit, por nga ne vetë. Prandaj ky është moment reflektimi.
Do kthehemi pas të flemë gjumë? Apo do të përveshim mëngët të përqafojmë njëri tjetrin dhe të mos lejojmë politikanët që të na përçajnë, për të na penguar në këtë rrugëtim. Kjo bëhet për të na sabotuar që ne të mos bëhemi pjesë e BE”,tha Veliaj.