Et’hem Beu, djali i Ismail Vlorës, që ka qenë i pranishëm në çastet kur ka ndërruar jetë i ati, duke i treguar kryetarit të Bashkisë Ali Asllani situatat gjatë qëndrimit të tyre në Peruxhia, shpjegon:
“Një ditë i përgatitën babait një konferencë për gazetarët. Pas buke ai hyri në sallon ku e prisnin korrespodentët. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur e i lëkundur nisi të belbëzojë e të mos lidhte dot fjalët. Kërkoi ta çonin në banjë.
Atje e mbyti shkuma dhe të vjellët. Dyshimet e para përafronin idenë se diçka ishte hedhur në të dy filxhanët e kafesë që kishin pirë at e bir në barin e hotelit, pak minuta para konferencës së shtypit.
Gazeta “L’Unione Liberale” e datës 27 janar 1919, shkruan: “Dje në mbrëmje, në orën 23:30, pushoi së jetuari në hotel “Brufani” miku i shquar i qytetit, Ismail Qemal bej Vlora”.
Gjithçka nga ai moment e deri më sot nuk është sqaruar plotësisht. Një sërë dilemash vazhdojnë të preokupojnë studiuesit e shumtë: Në çfarë rrethanash u izolua Ismail Vlora në Peruxhia? Çfarë fshihej pas konferencës së shtypit që u lajmërua jashtë axhendës?
Pse u vonua ndihma mjekësore dhe pse nuk iu krye autopsia kufomës? Kush ishin shqiptarët që atë ditë udhëtuan në Peruxhia dhe qëndruan vetëm pesë orë? Përse djali i pronarit të hotelit ku vdiq Ismail Beu ka thënë se i ati e kishte pengun e jetës vdekjen e tij?
Cili ishte rrethi i njerëzve që i interesonte eliminimi i Ismail Qemalit dhe kush përfitonte nga vdekja e tij? Kujt i hapej rruga për karrierë politike dhe sundim të Shqipërisë pas kësaj? Kishin kaluar pak më shumë se shtatë vjet nga Akti suprem për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Çdokush që njihet sadopak me rrethanat si ndërroi jetë Ismail Vlora dhe mënyrën e papritur të vdekjes, në mendje i vijnë fjalët e fundit në fjalimin e tij kur ngriti flamurin shqiptar në ballkonin më të famshëm në Shqipëri:…
Të pranoj që këtej e tutje të jem unë dëshmori i parë i atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i lirë flamuri ynë në atdhenë tonë të lirë. Dhe ndodhi vërtet që Ismail Qemali u bë dëshmori i parë i shtetit shqiptar.