Vdekja e 4 turistëve rusë në Qerret të Kavajës po hetohet edhe nga Moska. Ambasada ruse i ka kërkuar Prokurorisë së Kavajës dosjen hetimore për vdekjen e mistershme të tyre, por organi i akuzës e ka refuzuar kërkesën.
Kërkesa për dhënien e akteve hetimore në këtë fazë ku ndodhet hetimi është refuzuar nga prokurorët shqiptarë me argumentin se ligji procedurial penal shqiptar, nuk parashikon dhënien e akteve hetimore palëve të interesuara në fazën kur çështja është në hetim e sipër. Rusëve u është dhënë një informacion i shkurtër dhe i përgjithshëm mbi ngjarjen, ku humbën jetën 4 anëtarët e familjes ruse, Natalia Burenkova, Sergei Burenkov, Ekaterina Burenkova dhe i fejuari i kësaj të fundit, Nikita Belousov.
Dyshimet e para dhe që vijojnë të mbetet ende në fuqi janë se katër shtetasit rusë, janë asfiksuar nga klori, por ende nuk është përcaktuar plotësisht me saktësi dhe në mënyrë shkencore ky rezultat. Rezultatet e analizave pritet të hedhin dritë mbi këtë ngjarje, ndërsa nga ana e policisë dhe prokurorisë, nuk është ndaluar asnjë person i dyshimtë. Ndërkohë, departamenti konsullor i ambasadës ruse në Shqipëri, duket se po heton për vdekjes së 4 turistëve rus në Shqipëri.
“Departamenti konsullor po punon për këtë çështje”, tha ambasada ruse për “RIA Novosti”. Sipas medieve ruse, përveç kësaj, oficerët konsullorë po përpiqen të vendosin kontakte me të afërmit e viktimave. Viktimat janë çifti i bashkëshortëve Natalya Burenkova, 58 vjeç dhe Sergei Burenkov, 60 vjeç si dhe vajza e tyre Ekaterina Burenkova 31 vjeç me bashkëshortin e saj Nikita Belousov, 37 vjeç.
Mediat ruse kanë zbuluar se Natalya ishte diagnostikuar me kancer dhe prandaj nuk kishte hyrë në ujë. Përveç kësaj, sipas të afërmve, asnjë nga anëtarët e familjes nuk përdorte alkool ose drogë.
Vdekja e 4 turistëve rusë
Ndërkohë, sipas dosjes hetimore, katër shtetasit rusë, kishin mbërritur në Shqipëri si turistë. Së bashku me miq të tjerë, ata kishin qenë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku dhe kishin drekuar, ndërsa darkën kishin vendosur që ta kalonin në kompleksin turistik në Qerret të Kavajës. Madje gjatë ditës, ata kishin rezervuar me telefon dhomën e saunës me xhakuzi që ndodhet në katin e nëndheshëm të hotelit.
Rruga e kthimit nga Ohri bëri që rusët të vinin me vonesë në Qerret. Ata u akomoduan rreth orës 20:30 dhe kërkuan që të kishin privatësi në sauna. Bazuar në dëshmitë e punonjësve të hotelit, mësohet se katër turistët nuk kanë kërkuar të konsumojnë as pije dhe as ushqime nga hoteli. Sipas dosjes hetimore, recepsionistja tregon se i ka pyetur nëse dy çiftet dëshironin të konsumonin pije, por ata kanë refuzuar.
E njëjta punonjëse tregon se gjysmë ore më vonë ka shkuar sërish në katin e nëndheshëm dhe ka pyetur për të njëjtën gjë, por turistët i kanë kërkuar që t’i linin në privatësi. Orë më vonë, pjesëtarët e stafit të hotelit kanë zbritur sërish për të parë 4 turistët në sauna, ndërsa ata u gjendën të pajetë.