Ismet Drishti është nderuar nga presidenti i Republikës Ilir Meta me urdhërin “Naim Frashëri i Artë”, me rastin e 55-vjetorit të lindjes.
Vetë Ilir Meta nuk ka marrë pjesë në ceremoni dhe as e ka pasqyruar në faqen zyrtare të Presidencës.
Ai dërgoi një prej këshilltarëve të vet, t’ia çonte titullin atij në katin e parë të një pallati në Yzberisht, ku Drishti ka zyrat e një televizioni modest.
Është interesant fakti i këtij gjesti, që vetë Ilir Meta ka dashur të mos e ekspozojë shumë.
Nderimi i Drishtit, një personazhi që përveç gjërave komike, nuk njihet për ndonjë vlerë apo meritë të madhe në gazetari, vjen në një kohë të një konflikti të hapur te Ilir Metës me një prej gazetarëve më të afërt të tij të viteve të fundit.
Bëhet fjalë për Nikoll Lesin.
Pak javë më parë, ky i fundit bëri një shkrim, ku shprehte pakënaqësinë ndaj Ilir Metës, pse nuk e kishte nderuar me një titull gazetën “Koha Jonë”, me rastin e 30-vjetorit.
Dhe, për atë që ka dhënë kjo gazetë, natyrisht do ta meritonte një dekoratë.
Por për shkak të krisjes së marrëdhënieve me Lesin, Meta e ka injoruar dekorimin e gazetës, që vitet e fundit e ka pasur në shërbimin e vet, dhe shkon e dekoron një personazh si Drishti.
Normalisht që Lesi s’mund ta presë mirë një gjë të tillë, që duket pikërisht si një përgjigjie për të.