Me 11 tetor, Komisioni i Venecias pritet të publikojë raportin për çdekretimin e 30 qershorit nga presidenti Ilir Meta.
Vetë Kreu i Shtetit në një intervistë në RTV Ora nuk e ka një përgjigje se çfarë vendimesh do të marrë nëse Venecia e gjen me shkelje kushtetuese, por njoftoi se me 22 nëntor do të bëjë publike nismën e tij mbrojtje të Kushtetutës.
Gazetarja: Çfarë vendimesh pret të marrë Presidenti në rast se në 11 tetor Venecia ju gjen në shkelje Kushtetuese, në 13 tetor nuk zhvillohen zgjedhje në bazë të dekretit që ju keni nxjerrë dhe në 18 tetor nuk marrim çeljen e negociatave?
Presidenti Meta: Përsa i takon çështjes së Kushtetutës, duhet t’ju siguroj që për mua tani ka dy data. Data e parë është 18 tetori, pra unë, nuk do të lodhem më që t’i kujtojë partitë që dekreti për 13 tetorin është në fuqi, apo që mosbotimi në Fletoren Zyrtare nga ana e qeverisë, siç thotë qartë misioni i OSBE/ODIHR i dekretit të 13 tetorit, është i paligjshëm.
Së dyti, për mua data tjetër përveç 18 tetorit është 22 nëntori, dita kur shqiptarët në vitin 1998 me referendum miratuan Kushtetutën, e cila natyrisht është sakatuar padrejtësisht që nga viti 2008 e në vazhdimësi. Por, sidoqoftë në atë Kushtetutë të gjithë shqiptarët kanë votuar me shpresën dhe besimin se ajo do të mbrojë dhe garantojë të drejtat themelore të tyre.
Ndaj unë më 22 nëntor do të bëj publike nismën time në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të të drejtave themelore të qytetarëve shqiptar dhe kjo do të jetë një nismë mjaft e mirëmenduar dhe e mirorganizuar në mënyrë që të mos tolerojmë më në këtë vend, shkeljen dhe dhunimin sistematik të të drejtave kushtetuese të qytetarëve tanë.
I pyetur nëse kjo nismë do jetë si Presidenti i Republikës apo do t’i kthehet betejës politike, Meta flet për një aksion që do të përfshijë të gjithë ato personalitete të së drejtës, të të drejtave të njeriut.
Presidenti Meta: Kjo është një nismë si President i Republikës, që e ka detyrim të kujdeset për të drejtat themelore të qytetarëve shqiptare, të mos pajtohet me asnjë institucion që i cenon ato. Gjithashtu të mos të pajtohet me gjithë institucionet që e kanë për të detyrë për t’i mbrojtur dhe nuk e bëjnë një gjë të tillë. Dhe do të jetë një nismë, ku shumë surpriza të tjera do të shpalosen në kohën e duhur, pasi fokusi im tani është 18 tetori, për momentin nuk është 22 nëntori.
Por pas 18 tetorit fokusi do të jetë 22 nëntori dhe ky do të jetë një aksion i vazhdueshëm që, nuk ka lidhje me partitë dhe forcat politike. Por që do të përfshijë gjithë ato personalitete të së drejtës, të të drejtave të njeriut që besojnë në demokraci, në rëndësinë e jashtëzakonshme, që ka respektimi i të drejtave të njeriut në këtë vend, të institucioneve të pavarura dhe që nuk konformohen dhe nuk pranojnë këtë situatë mjaft kritike në të cilën ndodhen sot të drejtat e njeriut në vendin tonë.
Gazetarja: Pra, do zgjerohet rrethi nuk do jeni i vetëm në këtë betejë?
Presidenti Meta: Unë asnjëherë nuk kam qenë i vetëm dhe kjo është një betejë që bëhet për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, dhe këtu janë të gjithë të ftuar të kontribuojnë. Secili duke mbrojtur këto të drejta, secili në këtë mënyrë merr në dorë mundësinë për të ndikuar në qeverisjen e vendit, merr mundësinë për t’u mbrojtur nga çdo papërgjegjshmëri dhe arbitraritet sikurse ka ndodhur.
Meta shprehet i vendosur në ndërmarrjen e kësaj nisme edhe nëse ka një marrëveshje Rama-Basha para kësaj date.
Presidenti Meta: Kjo nuk ndryshon asgjë në angazhimet e mia, në rast se të gjitha palët angazhohen t’i respektojnë të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë, kjo është një gjë e mrekullueshme. Por Presidenti në çdo rast do të ketë një axhendë të tij dhe këtë do ta bëjë publike në ditën e referendumit për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë më 22 nëntor, e cila për Presidentin është një ditë e Kushtetutës.