Nisur nga rritja e shifrave të të prekurve me COVID-19 në ditët e dundit në vendin tonë, kryeministri Rama ka dalë sot në një konferencë të jashtëzakonshme sëbashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Rama paralajmëroi bizneset për rritjen e masave ndëshkuese nëse nuk respektojnë masat parandaluese për përhapjen e koronavirusit. E gjithë kjo sipas kryeministrit nuk bëhet për të rritur presionin psikologjik ndaj tyre, por për të shmangur një mbyllje të radhës.
“Po e nënvizoj për të gjithë, duke filluar nga tregtarët, të gjithë përkushtimin dhe motivimin e autoriteteve shtetërore për të mos i rënduar psikologjikisht ta marrin si një mundësi për të abuzuar. Pastaj dhe me radhë të gjithë të tjerë, por tregtarët kanë përgjegjësi të posaçme, pasi janë në mjediset e tyre ku dhe rreziku është më i madh.
Rreziku më i madh nuk është as në zyra, as në shtëpi dhe në asnjë vend tjetër, por aty tek tregjet. Që të mos kthehemi tek masat kufizuese, duhet që të mos kërkojnë të nxjerrin maksimumin duke vënë në rrezik shëndetin e njerëzve. Të gjitha strukturat kanë pasur angazhim maksimal.
Nuk duam që inspektoratet të hyjnë e të dalin në lokale, sepse sigurisht kjo nuk është më e mira për ecurinë e aktivitetit tregtar, dyqane, qendra tregtare, etj. Por nëse nuk ka reagim të menjëhershëm, do të ndodhë kështu. Do të jetë policia që do ta imponojë me forcë zbatimin e masave. Edhe me të gjitha gjobat përkatëse, të cilat do t’i rrisim. Do rriten gjobat për restorantet, baret, lokalet, e qendrat tregtare.
Lokalet në bllok, lokalet në zona të caktuara në Tiranë, lokalet më të mira, me më shumë fitime dhe më pak dhimbje koke, Të bëhen vatra ku kërcen Covid me muzikë është e patolerueshme. Megjithatë edhe njëherë e përsëris, mirkuptim për të gjithë, kjo është një thirrje për solidaritet, për unitet. Të mos hapim të çara në një front që duhet të jetë i bashkuar. Media duhet të nxjerrë në pah shkeljen e rregullave.
Tregtarët, biznesmenët duhet të jenë pjesë e frontit për të zbatuar rregullat. Virusi i pret të gjithë, pa parë fare majtas-djathtas”, u shpreh Rama i prerë.